Vazhdon përplasja në distancë mes Taulant Xhakës dhe Xhani de Biazit. Menjëherë pas deklaratave të trajnerit në emisionin “Opinion” se mesfushori zgjodhi kombëtaren pasi nuk e pranoi Zvicra, Xhaka ka zgjedhur sërish rrjetet sociale për t’iu përgjigjur teknikut italian. Pak pas mesnatës së të mërkurës, menjëherë pas përfundimit të emisionit, 26-vjeçari përditësoi kopertinën në “Facebook” duke vendosur një foto që simbolizon identitetin e tij shqiptar.
Në të shfaqen katër shenja gishtash me simbole kuqezi dhe katër data domethënëse: 1190 (themelimi i Principatës së Arbrit), 1443 (Lidhja e Lezhës), 1912 (Pavarësia) dhe 2017 (viti aktual). Në foto gjithashtu shkruhet në anglisht: “Identiteti im. Vazhdon…”.
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani de Biazi, ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” se Taulant Xhaka ka ardhur te Shqipëria se nuk e ka zgjedhur Zvicra. Ai insistoi që mesfushori kishte lënë në baltë shokët e skuadrës duke braktisur ekipin pas ndeshjes me Bosnjën.
“Nuk është se nuk zgjodhi Zvicrën, ishte Zvicra që nuk e deshi dhe pastaj erdhi te Shqipëria. Më bëhet qejfi që është i lidhur me bluzën, e tregoi edhe rastin e fundit, duke lënë shokët vetëm. Shkoi te klubi. Pse? Se nuk luajti kundër Italisë dhe se mendonte se kishte padrejtësi kundër tij dhe se më e mira ishte të luante me skuadrën e tij”, tha De Biazi.
I pyetur se ai po luan në klubin e tij, De Biazi tha se është e vërtetë. “Po, po fiton edhe kampionatin, Bazilea është një skuadër që po fiton kampionatin prej 7 vjetësh, besoj se ai është shumë i lumtur që luan atje dhe ata janë shumë të lumtur që e kanë në skuadër, por përsa më përket mua, ai është një lojtar si gjithë të tjerët. Zero, zero fjalë, një mesazh që më kërkonte në orën një e dhjetë të natës pas ndeshjes me Palermon ku ai më kërkonte që të flisnim, unë nuk e kisha celularin…
De Biazi tregon se përse nuk e aktivizoi me Italinë. “Jo, jo, jo ishte në pankinë, u ngrit bëri edhe nxehjen, bëri nxehje për t’u futur në fushë, në një e dhjetë të natës më erdhi një mesazh i tij, por që unë e pashë të nesërmen në mëngjes, sepse unë në orën 1 e 10 të natës celularin e mbaj të fikur pasi jam një person normal, që e fik celularin natën, para se të fle. Dhe në mëngjes kur u zgjova pashë dy mesazhet e tij, por dhe një mesazh të tretë ku më shkruante që kishte prenotuar avionin për t’u kthyer në Bazilea dhe që unë të hidhja në fushë për ndeshjen miqësore me Bosnjen, lojtarë që nuk luajnë titullar me skuadrat e tyre”, tha De Biasi.