Projekti për ndërtimin e xhamisë në lagjen “Dardania”, në Prishtinë është prezantuar para asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku këtyre të fundit nga Bashkësia Islame e Kosovës, iu është kërkuar që të mbështesin këtë projekt.
Resul Rexhepi, sekretar i Bashkësisë Islame të Kosovës ka thënë se çështja e kësaj xhamie ka nisur 17 vjet më parë dhe deri më tani, përveç gurëthemelit të saj, asgjë nuk është bërë.
Ai ka shtuar se kryeqytetit i duhet një xhami madhështore, një xhami që sipas tij, do të ngërthente në veti edhe traditën.
“Kemi nevojë për përkrahjen tuaj, kemi nevojë që të na ndihmoni në zbatimin e projektit dhe nesër edhe kryeqyteti ta ketë një simbol me të cilin do të identifikohemi. Ne kemi përzgjedhur një xhami madhështore, të bukur. Duhet të na besoni një gjë, ne e dimë më shumë se çka na duhet neve në këtë kohë dhe në këtë vend”, ka thënë Rexhepi.
Xhamia qendrore e kryeqytetit ka shtuar Rexhepi, nuk ka të bëjë me asnjë parti politike dhe se ajo është jashtë pretendimeve partiake dhe sipas tij, xhamia është e besimtarëve.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se xhamia do të ndërtohet, por që për projektin e kësaj xhamie duhet të ketë konsensus politik dhe shoqëror.
“Po ndërtojmë xhaminë më të madhe në Kosovë dhe kjo është përtej mandatit tim dhe nuk është çështje e një kryetari apo një partie politike. Askush nuk po e dikton lokacionin, askush nuk po e diskuton se, a do të ndërtohet xhamia, xhamia do të ndërtohet”, ka thënë Ahmeti.
Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012.
Atë kohë, gurëthemelin e patën vendosur përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit.