Vendimi për të nënshkruar me Interin në janar të 2015 ishte thjesht një gabim. Xherdan Shaqiri, i cili po luan sezonin e tij të dytë te Stoke City në Premier League, sulmon në mënyrë të drejtpërdrejtë klubin ziklatër si joprofesionist dhe me një infrastrukturë për të ardhur keq.
“E diskutoj edhe sot me vëllain tim Erdinin. Mançini më kërkoi me çdo kusht, por ne duhet të kishim marrë më shumë informacione për mënyrën sesi funksiononte klubi. Por nuk kishim kohë, sepse ditën që u zyrtarizova tek Interi, po ndërhynin edhe dy klube të Premier Legues. Në atë kohë isha i paduruar, kërkoja ta mbyllja sa më shpejt transferimin, sepse kampionati kishte nisur. Tek Interi, sinqerisht e them, infrastrutkura ishte për turp. Në Angli gjithçka është më profesionale: në ushqim, stërvitje dhe analizat e ndeshjeve. Në Itali, koha ishte e bukur, por bari gjithmonë ishte i gjatë. Këtu si në fushat stërvitore ashtu edhe në ndeshjet zyrtare tapeti është gjithmonë perfekt, sepse përkujdesja është e përditshme”, u shpreh Shaqiri.
Emri i tij së fundi është lidhur me Romën, por nga fjalët e veta 25-vjeçari kuptohet se rikthimi në Serinë A për momentin nuk është një opsion për të. “Futbolli italian nuk më ka pëlqyer, është shumë i ngadaltë dhe taktik. E kisha të vështirë që të spikasja me shpërthimet e mia. Një herë gjatë stërvitjes më është dashur të ekzekutoj 200 goditje këndi nga e majta dhe në të djathtë. S’më kishte ndodhur më parë një gjë e tillë”, tha ai.
Megjithatë, kur pyetet për marrëdhëniet e tij me ish-trajnerin zikaltër Roberto Mançini, Shaqiri mundohet t’i zbusë kritikat. “Me Mançinin nuk kam patur kurrë probleme. Edhe ai ndryshonte çdo fundjavë, kurrë nuk kishte një formacion fiks. Në të njëjtën mënyrë kishte vepruar edhe të Manchester City apo Gallatasaray. Nuk ndihesha më mirë, ndaj kërkuam një zgjidhje”, përfundoi Shaqiri.