Xherdan Shaqiri mund të rikthehet në Gjermani, por jo më te Bayern Munich. Media të ndryshme raportojnë se për futbollistin me origjinë shqiptare, që aktualisht është pjesë e Stoke City-t, është e interesuar Borussia e Dortmundit. Drejtuesit e klubit nga “Signal Iduna Park”, shikojnë te 24-vjeçari nga Gjilani, futbollistin perfekt për të zëvendësuar mesfushorin armen, Henrik Mkhitarayan, i cili pak ditë më parë zyrtarizoi kalimin e tij te Manchester United. Kur ka kaluar rreth 1 vit e gjysmë nga largimi i Shaqirit nga Bayern Munich, lojtari i përfaqësueses zvicerane mund të rikthehet në Bundesligën gjermane.
Pas një eksperience 6-mujore te Interi në Serinë A, Shaqiri prej një sezoni është pjesë e skuadrës angleze të Stoke City-t. Në Premier League, Shaqiri nuk ka shkëlqyer, por megjithatë interesimi për të nuk mungon. Për të bërë të sajin lojtarin, Borussia e Dortmundit do të ketë një mision shumë të vështirë, pasi Stoke City nuk kërkon të privohet nga futbollisti me origjinë shqiptare. Aktualisht, vlera e Shaqirit në merkato varion nga 15 deri në 20 milionë euro. 24-vjeçari ishte një titullar i padiskutueshëm te kombëtarja zvicerane në Euro 2016, teksa në sfidën e raundit të 1/8-ave ndaj Polonisë realizoi një gol me të vërtetë spektakolar.