Gjuhëtari i njohur Xhevat Lloshi në Shqip nga Rudina Xhunga, Dritare Tv u shpreh se studiuesit që merren me botimin e fjalorit të Gjuhës Shqipe nuk duhet të vazhdojnë me gabimet para viteve 90’-të.
Zoti Lloshi tregoi se ende dhe sot në fjalor nuk ekzistojnë fjalët fetare, si për shembull Pejgamber, ku sipas tij, tregojnë se studiuesit vazhdojnë me ateizmin që ka qenë në diktaturë.
“Ne gjuhëtarët duhet të bëjmë një punë më të mirë. Ju e dini që ne u shpallëm shteti i parë ateist në botë, sigurisht me ose pa dëshirë ne ishim në atë regjim dhe nuk mund të kundërshtonim.
Për këtë arsye ne kemi mbajtur një qëndrim të gabuar në fjalorin e viti 1980 sepse të gjitha fjalët fetare ju kemi vendosur nga ndonjë (bisht), me paragjykime fetare. Edhe atëherë e kemi pasur gabim, nuk duhet ta bënim këtë gjë.
Nuk preket fjala!
Është e vërtetë që Shqipëria u shpall vend ateist, po disa kilometra më tutje, në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi nuk kishte shqiptarë? Ishin besimtarë, absolutisht nuk kishim të drejtë që t’i thoshim se këtë e keni sipas paragjykimeve fetare. As në 1980-ën nuk duhet ta bënim këtë gjë, me këtë bishtin që i shtonim.
Po ju marr një fjalë mjaft të njohur për besimtarët myslimanë, Pejgamber. E besoni që fjalorët e Gjuhës Shqipe nuk e pasqyrojnë ende dhe sot. Vazhdojmë ateizmin e periudhës së Enver Hoxhës. Me çfarë të drejte nuk e thua në fjalor. Shpjego që fjala Pejgamber, sipas besimit mysliman është profeti. Por jo ta përjashtosh, nuk thonë shqiptarët fjalën Pejgamber?
Shkencë quhet kjo?
Ka dhe fjalë si hallall dhe haram, si mundet në Shqipëri mos të dimë fjalën hallall. Si ka njerëz që e quajnë veten leksikograf dhe nuk e dinë që në Shqipëri ka dyqan mishi hallall, që do të thotë mish i cili nuk është prej derri. Këta që bëjnë fjalorë akademikë jetojnë në Shqipëri apo jo? Edhe ne gjuhëtarët kemi faj dhe gabime, duhet të bëjmë më shumë për Gjuhën Shqipe!”, u shpreh gjuhëtari.