Xhevdet Amuli, kandidat i Koalicionit Euratlantik në Shkodër: “Në 11 maj, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin një politikë ndryshe, të hapur dhe të ndershme

Xhevdet Amuli, një figurë e njohur në Shkodër si sipërmarrës, sportist dhe kontribues në politikë e komunitet, ka shpallur kandidaturën e tij për deputet në zgjedhjet e 11 majit, si pjesë e Koalicionit Euroatlantik.

Në një postim në rrjetet sociale, Amuli ndau historinë e tij, duke theksuar rrugëtimin nga sporti, biznesi dhe angazhimi i tij afatgjatë në Partinë Demokratike. Ai kujtoi përfshirjen në lëvizjet demokratike që nga vitet ’90 dhe përpjekjet për bashkimin e demokratëve në Shkodër.

“Jam përpara jush me nderin e madh për të përfaqësuar Koalicionin Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit. Kjo është pika kulminante e angazhimit tim politik, ku kërkoj mbështetjen tuaj si njëri prej jush, si një demokrat që për vite me radhë ka qëndruar besnik ndaj vlerave të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë,”
– shprehet Amuli.

Ai theksoi se përvoja e tij në biznes dhe sport e ka mësuar rëndësinë e punës, përkushtimit dhe vendimmarrjes së ndershme, vlera të cilat dëshiron t’i çojë në Parlament për të sjellë ndryshimin e vërtetë për Shkodrën dhe Shqipërinë.

“Për 34 vite, politika e vjetër ka mbajtur peng vendin tonë. Koha për ndryshim ka ardhur dhe në 11 maj qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin një politikë ndryshe, një politikë me fytyrë njerëzore, të hapur dhe të ndershme,” – shtoi ai.

Xhevdet Amuli ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë nga qytetarët e Shkodrës, duke garantuar se do të jetë një përfaqësues i denjë për ta dhe një zë i fortë për zhvillimin e qarkut.

Mesazhi i plotë i Amulit:

Lindur dhe rritur në qytetin e Shkodrës , ashtu siç shumë prej jush më njihni kam filluar punën që në moshë të re.
Fillimet e mia ashtu si të shumë bashkëqytetarëve të mi që i përkasin shtresës që përfaqësoj , nuk kanë qënë të lehta,por me shumë punë dhe sakrifica kam arritur të ndërtoj jo vetëm personin që unë jam sot, por edhe biznesin ku kam hedhur mundin dhe djersën për vite me rradhë.
Fillesat e mia si person publik i kam pasur herët, që në kohën kur jam angazhuar në sportin e peshëngritjes. Sport , të cilin e kam ushtruar për më shumë se 10 vite në Klubin Vllaznia.
Jam angazhuar në lëvizjet demokratike, duke marrë pjesë në të gjitha protestat e zhvilluara kundër regjimit të egër komunist.Duke përjetuar ngjarje historike , si 2 Prilli e rënia e regjimit komunist.Regjim të cilin e kemi pasur mbi shpinë familjarisht për shumë e shumë vite.
Me ardhjen e demokracisë me nismën dhe dëshirën për të ecur përpara hodha themelet e biznesit tim privat, duke u bërë kështu një ndër të parët biznesmenë në fushën e tregtisë me shumicë dhe pakicë të karburanteve. Me kalimin e viteve këtë biznes e zgjerova edhe më tej duke operuar edhe në fushën e ndërtimit, e së fundmi edhe në fushën e hotelerisë dhe turizmit prej 13 vitesh.
Njëkohësisht gjatë këtyre viteve kam kontribuar dhe në sportin shkodran, tanimë jo si sportist por si donator,ku vlen të përmendet kontributi im si donator i Klubit të Futbollit Vllaznia për 8 vite dhe Kryetar i Bordit drejtues të këtij klubi.
Paralel me punën time të përditshme dhe angazhimet e tjera, kam vijuar edhe kontributin për Partinë Demokratike që në vitet ‘90, ku jam angazhuar si i ri, e më tej në struktura drejtuese që nga Kryetar Grupseksioni , Anëtar Kryesie, Anëtar i Këshillit Bashkisk e Kryetar dege i Partisë Demokratike të Shkodrës.
Me marrjen e detyrës sime si Kryetar dege kam punuar dhe jam angazhuar për bashkimin e demokratëve në të gjithë qarkun, por fatkeqsisht vetëm dëshira dhe puna ime nuk mjaftoi. Përçarja dhe grupimet e fshehta të ndërtuara ndër vite, e bënë të pamundur bashkimin dhe forcimin, pavarsisht se në zgjedhjet e mbajtura gjatë mandateve që unë ushtroja funksionin si Kryetar Dege, rezultatet kanë qënë ndër më të lartat që Partia Demokratike ka marrë ndonjë herë.
Sot jam përpara jush, dhe kam nderin të përfaqësoj Partinë Demokratike Euroatlantike, duke shpallur kandidaturën për deputet për zgjedhjet e 11 Majit 2025.Kjo është pika më kulminante e karrierës sime politike , ku kërkoj nga ju mbështetjen si njëri prej jush, si demokratë që na kanë bashkuar të njëjtat vlera e parime ndër vite.
Gjej rastin të shpreh edhe një herë mirënjohjen për mbështetjen e gjithsecilit prej jush gjatë këtyrë viteve.
Xhevdet Amuli

Artikulli paraprakPreç Zogaj: Zgjedhjet që nuk ndryshojnë asgjë
Artikulli tjetërGjermani/ Arrihet marrëveshja historike për planin gjigant të shpenzimeve