Xhunga: Rama keqpërdori administratën për zgjedhje, Berisha nuk e mori PD për të fituar

Gazetari Albi Xhunga tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se mbyllja e kapitujve të Shqipërisë me BE-në do të jetë shumë i vështirë, duke theksuar se vetëm kapitulli që lidhet me pronën private mund ta lërë vendin tonë jashtë bllokut për dekada të tjera.

Xhunga e konsideron një afat haluçinant atë për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027.

Xhunga e konsideron 11 majin si kronikën e një krimi të paralajmëruar, ndërsa shton se Rama dhe Berisha do të goditen, pasi SHBA e ka kuptuar

Kur ti i thua BE-së që jam gati për t’i hapur këta kapituj, ata mund t’i hapin, vështirësia qëndron në mbylljen e kapitujve. Kapitulli 23 është gjyqësori dhe të drejtat themelore, ku hyn edhe e drejta e pronës. Kur shohim kaosin që është bërë me pronën në Shqipëri, a ka njeri shpresë se një kapitull i tillë mund të mbyllet… Ky problem mund të na lërë jashtë Europës, jo vetëm në 2030-ën, por edhe dekada pas, sepse s’mund të ketë BE pa pronë.

Për mbylljen e negociatave s’kemi të bëjmë me proces politik, por proces teknicienësh, duhet të bindësh teknicienët e BE që je një shtet me standarde. Nëse kemi përmbushur pjesën formale, duhet të përmbushim edhe pjesën përmbajtësore, që këto gjykata të japin drejtësi. Sa i takon afatit për vitin 2027 është një afat haluçinant. Sikur në 2027-ën Shqipëria të ketë mbyllur gjysmën e negociatave unë angazhohem që mos dalë më të flas publikisht. Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit ishte kronika e një krimi të paralajmëruar. Ne e dinim që Sara Mila do merrte mijëra vota, e dinim që partia e Doshit do blinte vota, apo deputetë të shtyrë nga krimi.

Krimin e kemi pasur edhe në sheshin ‘Skënderbej’, ku Rama mblodhi gjithë administratën dhe punonjësit bashkiak, i mblodhi, i uli në shesh, duke kryer një krim eleketoral, ku po u tregonte punonjësve të bashkisë se kush është bosi i vërtetë. Zgjedhjet janë kronika e një krimi të paralajmëruar. Kjo histori s’është mbyllur, dhe këtë i pari e ka kuptuar Berisha. Ai e shikon që Ramës i ka filluar dimri i vetmisë së madhe me SHBA-të, dhe unë mendoj që amerikanët s’do ta hanë turpin me bukë që të njohin këtë maskaradë.

Berisha s’është aty për të sjellë PD-në në pushtet, por është aty si një xha Gorio të Balzakut për të mbrojtur familjen e tij. Bashkë me Ramën do goditet edhe Berisha, sepse SHBA e ka kuptuar që kemi të bëjmë me një simbiozë, që janë aq bashkë saqë nuk kuptohet se ku fillon njëri e ku mbaron tjetri. Do të goditet ky proces elektoral, por nga goditja s’do të përfitojë opozita e Berishës. Amerikanët e kanë kuptuar që kemi të bëjmë me një simbozë. Shenjat janë që do të goditet. Kemi një heshtje ulëritëse të SHBA-ve, ku për 2 javë ambasada heshti. Kur heshtja ra në sy amerikanët bënë një urim pa emër, pa ngjyrë, pa shije, duke uruar popullin, që është term i përgjithshëm. SHBA do ta godasë këtë proces elektoral”.

Exit mobile version