Yaya Toure i është hequr patenta për 18 muaj, si dhe do të paguajë një gjobë prej 54 mijë stërlinash, pasi u kap duke i dhënë makinës në gjendje të dehur 28 nëntorin e kaluar. “Gjithmonë e kam refuzuar alkoolin dhe për mua ishte e rëndësishme që ta bëja gjykatësin të kuptonte se nuk kisha pirë alkool me qëllim”. Ishin këto fjalët e mesfushorit të Manchester City-t që vendosi të mos apelojë, duke pranuar vendimin e gjykatësit, i kënaqur mesa duket nga paragrafi në sentencë ku pranohet se nuk kishte pirë me ndërgjegje, detaj ky i rëndësishëm për një futbollist që gjithmonë është shfaqur si një mysliman i devotshëm.
Pas një fillimi të komplikuar të sezonit, me grindjet e vazhdueshme të agjentit të tij dhe Guardiolës dhe rikthimit në skuadër me dygolëshin ndaj Crystal Palace, Toure përballet sërish me një problem, edhe pse duket çështja është drejt mbylljes. Toure deshi ta sqaronte pozicionin e tij me tifozët edhe për shkak të besimit nëpërmjet një postimi në Facebook ku shkruan.
“Në këto dy javët e fundit është krijuar pak konfuzion, mbi arsyen se përse u arrestova për drejtim të makinës në gjendje të dehur, duke qenë se është e ditur se si mysliman nuk pi. Gjithmonë kam refuzuar alkoolin. Ata që më njohin apo ndjekin futbollin e dinë që kam refuzuar edhe shampanjën që jepet kur cilësohesh si ‘Njeriu i ndeshjes’ për shkak të besimit tim. Gjithsesi ishte e rëndësishme për mua t’i sqaroja gjykatës se nuk kisha konsumuar alkool me qëllim. Gjykatësi në vendimin e tij e pranoi se nuk kisha pirë me qëllim. Drejtimi i makinës në gjendje të dehur është një krim i rëndë, edhe pse nuk kam konsumuar me qëllim alkool, e pranoj vendimin dhe kërkoj falje për këtë situatë të krijuar”.
Për sa i përket trajtimit të kësaj çështjeje nga ana e Manchester City-t, Guardiola preu shkurt në konferencën e shtypit, “Është i disponueshëm për të luajtur. Radhës tjetër nuk do t’i japë makinës, por do të marrë një shofer. Është pjesë e grupit, nuk ka asnjë problem me klubin dhe më takon mua të vendos nëse do të luajë apo jo”.