Ylli Manjani i quajti shqiptarët legena dhe të poshtër, revoltohet gazetari Rigels Seliman: Turp që një ish-ministër përdore këtë gjuhë, je thjeshtë një mjeran

Në një moment të tensionuar të debatit publik, ish-ministri Ylli Manjani i quajti shqiptarët “legena” dhe “të poshtër”, që s’dalin në protestë, duke nxitur reagime të forta. Gazetari Rigels Seliman ka dalë në mbrojtje të dinjitetit kombëtar, duke e kritikuar ish-ministrin Manjanin për përdorimin e një gjuhe të tillë dhe duke e quajtur atë “mjeran”. Kjo ngjarje e fundit pasqyron jo vetëm ndjeshmërinë e opinionit publik ndaj fjalëve të përdorura nga figura të njohura, por edhe sfidën që paraqet komunikimi i hapur dhe i përgjegjshëm në një shoqëri që përballet me shumë sfida.

“E ndoqa me vëmendjen një deklaratë që bëri ish-ministri Ylli Manjani, i cili mes të tjerash në një media sulmonte qytetarët shqiptarë pse nuk iu bashkuan protestës së Sali Berishës më 7 tetor, duke iu thënë: ‘O legena, që mendoni veç për bukën e gojës! Shqiptarë të poshtër’.

Por Ylli Manjani, duke sulmuar shqiptarët që nuk dalin në protesta, po bën një gjykim të paarsyeshëm dhe të paqartë. Shqiptarët nuk janë “legenë” për faktin se nuk marrin pjesë në protesta, por ata po tregojnë një maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj situatës aktuale. Protestat e thirrura nga figura të tillë si Sali Berisha, i shpallur ‘non-grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe, si dhe të hetuar nga SPAK për korrupsion, nuk mund të jenë një opsion për shumë qytetarë që kanë humbur besimin tek politikanët e vjetër.

Gjuha që përdor Manjani, duke quajtur shqiptarët “legenë”, është e papranueshme dhe tregon një mungesë respekti për njerëzit që, ndonëse të frustruar nga situata, zgjedhin të mos mbështesin politikanë që kanë humbur moralin dhe besueshmërinë. Shqiptarët janë të mençur dhe dinë të bëjnë diferencën mes një proteste të organizuar për interesat personale të një politikani dhe një kërkese për ndryshim real.

Ky qëndrim i Manjanit tregon një përpjekje të panevojshme për të mbajtur politikanët e vjetër në lojë dhe për të bërë përgjegjës qytetarët për situatën që ata vetë kanë kontribuar në krijimin e saj. Keqardhje që një ish-ministër që është paguar nga taksat e shqiptarëve përdor këtë gjuhë për të paragjykuar popullin, duke i kërkuara llogari pse s’dalin në protestën e Sali Berishës. Turp që një ish-ministër përdor këtë gjuhë. Megjithatë e tregove veten që je një mjeran”, shkruan në rrjetet sociale kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman.

Artikulli paraprakSHBA: Jemi të shqetësuar nga ligji i propozuar për agjentë të huaj në Mal të Zi! Ja pasojat që mund të shkaktojë
Artikulli tjetërKërcënohet me armë 32-vjeçari, djali i ish-kandidatit për kryebashkiak (EMRI)