Dritan Zagani, ish-oficeri i Policisë së Shtetit që denoncoi zyrtarë të lartë me lidhje kriminale, pretendon se Karlo Bolino, pronari i “Shqiptarja.com” dhe “Report TV”, ka falsifikuar disa dokumente italiane. Megjithëse është marrë si i pandehur dhe dërguar për gjykim nga Prokuroria për Krime të Rënda për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”, ai ka dërguar një kallëzim penal nëpërmjet shërbimit postar në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë.
Kjo e fundit me shkresën nr. 1518/2 prot, datë 24.11.2015 e ka dërguar kallëzimin për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Nga përmbajtja e materialit kallëzues rezulton se Dritan Zagani ka ngritur pretendime për disa të dhëna të publikuara ndaj tij në gazetën “Shqiptarja.com” në datën 13.11.2015.
Sipas këtij shkrimi referohet fakti se shtetasi Dritan Zagani paguhej nga 2000-3000 euro për çdo informacion që jepte, nga punonjësi italian A.G., si dhe të dhëna të tjera, të cilat ai pretendon se janë të pavërteta. Ai pretendon se faktet transformohen dhe shtohen me keqdashje, si dhe bëhen publike për qëllime të denigrimit të personit të tij.
Dhe këtë fakt ai ia atribuon shtetasit Karlo Bolino, pronar i gazetës dhe shtetases Ana Pogi, si drejtore e zyrës së Interforcës italiane, ku pretendon se në të dhënat e pasqyruara ka elementë të veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Në lidhje me këtë kallëzim penal është këqyrur nga ana e Prokurorisë, faqja zyrtare e website “Shqiptarja.com” ku pasqyrohet shkrimi “Çështja Zagani” historia e vërtetë e Ana Pogi”.
Në këtë shkrim ndër të tjera referohet fakti se, Ana Pogi si funksionare italiane e zyrës së Interpolit i ka dërguar një shkresë Prokurorisë për Krime të Rënda, sipas kërkesës së kësaj të fundit, për një informacion që është kërkuar për një numër telefoni me të cilin ka komunikuar shtetasi Dritan Zagani dhe ka pasqyruar përmbajtjen e shkresës dërguar nga kjo zyrë, duke publikuar dhe dy shkresat përkatëse.
Po ashtu jepet edhe një përshkrim i pozitës së kallëzuesit për hetimet që zhvillohen ndaj tij.
Për të marrë të dhëna nëse këto dy shkresa rezultojnë të kenë qenë pjesë e procedimit penal dhe për gjendjen dhe shkallën që ndodhej ky procedim penal, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadrin e veprimeve me karakter verifikues, i është kërkuar informacion Prokurorisë për Krime të Rënda. Kjo e fundit me shkresën nr. 2476 prot, datë 29.12.2015 ka dërguar kërkesën për gjykim në lidhje me procedimin penal nr. 286/1, të vitit 2014, të datës 23.12.2015, pra që daton përafërsisht një vit më parë nga koha që është publikuar shkrimi datë 13.11.2015.
Sipas kërkesës për gjykim rezulton se shtetasi Dritan Zagani është marrë i pandehur dhe dërguar për gjykim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Moskallëzimit të krimit”. Dy shkresat rezultojnë të jenë pjesë e procedimit penal nr. 286/1, të vitit 2014 ku me to janë njohur si të pandehurit dhe avokatët sipas legjislacionit të tyre.
Prokuroria shkoi në përfundimin se pretendimet e kërkuesit (ankues), Dritan Zagani në lidhje me vërtetësinë e përmbajtjes së shkresave dërguar nga zyra e Interforcës, sipas kërkesës së bërë nga Prokuroria, përbëjnë në vetvete objektin e të provuarit të veprës penale për të cilën akuzohet ai dhe pretendimet në lidhje me këto fakte kanë qenë objekt vlerësimi i prokurorit, si dhe janë objekt i vlerësimit nga ana e gjykatës gjatë gjykimit të çështjes duke qenë kështu të lidhura ngushtësisht e pashmangërisht me të dhe si të tilla ato nuk mund të qëndrojnë më vete. Sipas Prokurorisë, këto pretendime nuk mund të vlerësohen nga një organ tjetër i ndryshëm nga gjykata, pasi kjo do të sillte ndërhyrje të padrejtë në veprimtarinë e gjykatës.
Akuza thotë se pretendimi për shpifje i Zaganit duhet të ndiqet në gjykatë. “Në analizë të pretendimeve e prapësimeve në lidhje me objektin e kësaj kërkese të parashtruar nga ana e ankuesit, gjykata krijon bindjen se, nuk provohet prania e shkaqeve që përligjin regjistrimin e procedimit penal dhe për pasojë vijimin e hetimeve paraprake në lidhje me kallëzimin penal të bërë nga ana e ankuesit Dritan Zagani.
Duke e parë çështjen në këtë këndvështrim, duke iu referuar kërkesave të domosdoshme që paraqet dispozita e posaçme e ligjit material penal, neni 120 i Kodit Penal, gjykata e gjen të drejtë disponimin e organit të Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Boldnews.al