Zarfi i turpit, Rama kërkoi të blejë Negociatat

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar dje lojën e pistë të Ramës jo vetëm duke bllokuar Vettingun përmes procesit të kapjes politike të tij, por edhe aferat e ndyra përmes të cilave është munduar të korruptojë procesin e negociatave.
“Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendos jo vetëm që të mos hapen negociatat, jo vetëm që të mos vendosë një datë për hapjen e negociatave, por vendos për t’u thënë shqiptarëve jo vetëm që vettingu nuk është kushti i vetëm, vendos për t’u thënë shqiptarëve jo siç u thotë Nastradini i tyre, që, në mungesë totale respekti ndaj qytetarëve dhe të vërtetës, mashtron në mënyrën më të shpërfytyruar dhe përpiqet të përdorë kamerat dhe mikrofonat për të mashtruar në mënyrë të paskrupullt, të papërgjegjshme të ulët qytetarët shqiptarë, për një nga çështjet më madhore, për proçesin më kardinal të të ardhmes së tyre siç është hapja e negociatave dhe ecja drejt integrimit në BE.
Pra, gjithçka tjetër përveç atyre që mashtron Edi Rama, që ka mungesën e plotë të përgjegjësisë, për të mos thënë dhe më shumë, të përpiqet të mbulojë dështimin e tij të plotë, me sharje dhe fyerje ndaj opozitës”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka zbardhur pikat më të forta të deklaratës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE dhe ka evidentuar rolin pozitiv që ka luajtur opozita në këtë proces. “Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, në deklaratën që u përpoq ta fshehë dhe t’u dezinformojë këtu piktori dështak, që nuk ka nocionet më elementare të atyre që flet dhe që është autor kryesor i këtij bllokimi, të procesit jetik të integrimit të vendit. Ministrat e Jashtëm të 28 vendeve u shprehën se mirëpritën hapin e madh që bëri Shqipëria, duke adoptuar në mënyrë unanime amendamentet kushtetuese. Jeni dëshmitarë se çfarë përpjekjesh të shpërfytyruara, çfarë përpjekjesh demoniake bëri piktori juaj dështak për të përjashtuar me çdo kusht opozitën. Ju jeni dëshmitarë se si dy vite rrjesht, autor dhe arkitekt kryesor i drafteve të hedhura në kosh të plehrave, në 37 amendamente të të parit dhe 12 amendamente të të dytit nga Komisioni Venecias që donte me çdo kusht të kapte drejtësinë në duar. Ju jeni dëshmitarë se si dhe në minutën e fundit.
Ju jeni dëshmitarë sesi në minutat e fundit, pasi Kancelarja Angela Merkel përgëzoi botërisht liderin e opozitës, DASH me njërin prej zyrtarëve më të lartë bëri të njëjtën gjë. Po ashtu, edhe kryetari i radhës së BE, ministri i Jashtëm i Sllovakisë dhe Komisioneri Hahn dhe eksponentë të tjerë të Brukselit përgëzuan opozitën për qëndrimet dhe shpëtimin që i bëri reformës. Orët e fundit, minutën e fundit Edi Rama donte ta përmbyste, së bashku me ndonjë tjetër zemërthyer, që ka lidhur veten me Ramën dhe jo me Shqipërinë.
Jeni dëshmitarë që opozita s’u tërhoq dhe qëndroi e vendosur mbi vlerat dhe parimet e pavarësisë së drejtësisë dhe votoi këtu, dhe ja ku është, e vetmja dekoratë e vërtetë që merr Shqipëria është votimi unanim i amendamenteve kushtetuese.
Ju duhet ta dini të dashur qytetarë, se pasi u dakortësua çdo gjë për amendamentet, u ra dakord plotësisht mes tre liderëve kryesorë – dy të mazhorancës së qelbësirave (se e keni thënë vetë këtë nuk e kam thënë unë) dhe kryetarit të opozitës, se u ra dakord që 7 ligje të tjera të votohen me konsensus”, tha Berisha
Ish-Kryeministri tha se i kishte kërkuar ambasadorëve që kanë qenë pjesë e negociatave për ndryshimet kushtetuese që të zbardhnin marrëveshjen që ishte arritur mes pozitës dhe opozitës dhe u prish nga Rama në mënyrë të njëanshme me ligjin e Vettingut.
“Por, i  pabesë dhe i udhëhequr tërësisht nga urrejtja njerëzore ndaj opozitës, Edvin Kristaq Rama bëri çdo gjë për të përjashtuar opozitën, dhe këtu votuat ligjin e vettingut me të cilin doni të kapni drejtësinë, votuat ligjin me të cilin, me Alket Hysenin, shefin e statutit të PS doni të bëni ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe jo Vettingun, me Seferin e Shullazit të DSIK-së, donit që Shullazi të bënte vettingun e atyre që patën guxim ta dënojnë.
Ndërkohë, në mbledhjen tjetër, në seancën para kësaj unë u bëra një thirrje, dhe sërish ju bëj një thirrje ambasadorëve që ishin kaq shumë të përfshirë në këtë proces; tregojuni shqiptarëve marrëveshjen që ka ekzistuar. Nuk ka nevojë ta mësoni në këtë mënyrë. Tregoni marrëveshjen se kush e ka shkelur. E them këtë, sepse kur ka ardhur puna për të fajësuar opozitën për atë çka nuk ishte, nuk keni hezituar për të thënë që po lëviz fjalë etj. Tani ju keni pranuar se ka marrëveshje, por këtë duhet t’ja u thoni shqiptarëve. Kam respekt për ju, por vendi nuk ndihmohet në këtë mënyrë. Ka patur një marrëveshje, dhe po të ishte zbatuar ajo marrëveshje, në mënyrë absolute vettingu do të kishte filluar dhe do të ishte në zbatim.
A i keni dëgjuar të dashur qytetarë këta mëkatarë, këta trafikantë, këta të korruptuar, këta bixhozxhinj, që një e dy nuk flasin gjë tjetër, por kërcënojnë gjykatësit me vettingun? A e shihni pra që këta s’duan gjë tjetër vetëm të fusin në dorë, të shtrijnë tek këmbët e tyre nëpërmjet Alket Hysenit, shefit të statutit të PS, nëpërmjet Sefer Shullazit, përgjegjësit të DSIK, madje dhe atij të larjes së parave. Pra, siç e dini e bllokuan dhe reformën”, tha Berisha.

Zarfet e Ramës

Ish-Kryeministri denoncoi një aferë skandaloze të Ramës, sipas të cilës ai kishte menduar se procesin e hapjes së negociatave ta blinte me zarfat e korrupsionit. Kjo ka qenë edhe pika më e fortë e deklaratës së Berishës në Parlament ditën e djeshme.
“Jam këtu për të denoncuar një përpjekje të turpshme, primitive dhe të pafytyrë të Edi Ramës, i cili në vend që të zbatojë standardet dhe të bëhet serioz në standarde ka menduar të realizojë integrimin, duke shpërndarë zarfe.
Po u them juve të dashur qytetarë, që një nga shkaqet madhore të kësaj përgjigje janë edhe reagim ndaj mendimit të një të sëmuri psikik që mendon të blejë Europën. Europa nuk shitet as nuk blihet, ajo qëndron në vlera. Dhe unë i them Edi Ramës se përpjekjet e tua në mënyrë absolute, jo që nuk lëkundën njeri, por more turpin që të takonte dhe për fat të keq dënimin e shqiptarëve”.
Berisha tha se përpara se vendet anëtare të BE të marrin vendimin për të kushtëzuar hapjen e negociatave me Shqipërinë, ministrat e Brendshëm të vendeve kryesore, si dhe ministrat e Jashtëm kanë pasur një informacion të plotë për problemet që ka sot Shqipëria me të inkriminuarit në institucione, drogën dhe azilkërkuesit.
“Çfarë thotë komunikata e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare: ‘Këshilli, duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme, përfshi ato të dhjetorit të 2015, rithekson se zbatimi përfshirës, i gjithanshëm, i qëndrueshëm i 5 prioriteteve bazë duhet të garantohet përpara se të hapen negociatat me Shqipërinë’.
Pikërisht këtë fshehu Rama para jush. Por nëse Ligjin e Vettingut dhe Kushtetutën e falsifikuan në përkthim, këtë herë mori fund mundësia falsifikuese e juaja.
Pra, ja që nuk i keni plotësuar dhe zbatuar 5 prioritetet. Po si mund të mashtroni Europën ju. Edi Rama në të gjitha takimet e 3 muajve të fundit, me secilin counterpart i është shtruar çështja e dekriminalizimit. Dhe u ka thënë që unë në grupin tim parlamentar nuk kam të tillë, të kriminalizuar. Harroi Armado Prengën, harroi atë tjetrin që kishte, harroi dy famozët Bushin dhe Rroshin. Dhe e dini se çfarë ka ndodhur aty? E kanë parë me një përçmim të brendshëm të pakufishëm si një gënjeshtar 2 metra të gjatë. Po ja që ata kanë informacione të pafundme, dhe jo nga opozita. Gabim të mendojë njëri se një qeveri tjetër do të udhëhiqet nga opozita. Një qeveri tjetër, për të gjykuar një qeveri sigurisht dëgjon opozitën, por kurrë nuk merr një hap pa verifikuar çdo gjë. Ky është detyrimi. Ata kanë shërbime.
Po për të shpëtuar Saje Qorrin, nuk na duhet t’i përmendim ato. E vërteta është se janë raportet e disa ministri të Brendshme, të cilat u kanë thënë ministrive të tyre të Jashtme dhe qeverive, së pari, numrin e jashtëzakonshëm të azilkërkuesve, së dyti, krimin shqiptar që po bëhet famoz në vendet e tyre, dhe së treti, kanabizimin e Shqipërisë dhe shndërrimin  e saj në Kanabistan. Këto janë të pakapërcyeshme, dhe ndaj ju as nuk morët datë siç kërkuat, as nuk morët hapjen siç kërkuat, as nuk morët datë të avancuar siç kërkuat, as nuk morët raport me datë të caktuar siç kërkuat”, tha Berisha.

Problemet me vendet fqinje të Ramës

Me vendet fqinje çdo qeveri ka probleme, çdo vend ka probleme. Por përdoret për zgjidhje gjuha demokratike, format demokratike, dialogu. Po t’i bëni siç i bëtë ju, po i transformuat ju marrëdhëniet me Greqinë në marrëdhënie të Ramës me Dulen, e keni bërë atë një hero, se ai grek është me origjinë, se mohon, ai është krenar me origjinën e tij, pra e keni bërë atë (Dulen) një hero të helenizmit botëror, çka nuk pretendon as vetë të jetë. Dhe çfarë bëni me këtë? Lexoni raportin për të parë se çfarë po bëni.
Një gjë duhet ta keni të qartë. Absolutisht jam që çdo gjë të trajtohet me dinjitetin dhe seriozitetin më të madh, por jo me megafon. Megafoni nuk i shërben kujt. Në botën demokratike megafoni është një mjet i neveritshëm, jo i civilizuar, është një mjet që vjen nga Lufta e Ftohtë. Ku po shkojmë kështu? Po ju vazhdoni merrni ndonjë lavdërim poshtë e përpjetë mirëpo pastaj lexoni pak ato pikat në raport. Janë meritë e Edi Ramës ato.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBasha: Krimi ka kapur shtetin