Zbardhen pamjet filmike të vrasësit të komisarit Cuku

Policia publikoi dje pamjet e vrasësit të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, para një jave në hyrje të pallatit ku banonte në Tiranë. Autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në momentin e largimit nga vendi i ngjarjes, vetëm pak sekonda pas vrasjes. Siç duket në videon e publikuar, vrasësi është i veshur me një xhup ngjyrë blu, një palë tuta sportive, atlete të bardha, shall dhe një kapele të bardhë në kokë. Ndërsa vrapon, ai fut duart në xhepa, ku hetuesit dyshojnë se ka qenë duke fshehur së paku një prej armëve të përdorura në krim. Pavarësisht kësaj, nuk përjashtohet mundësia që mund të kenë qenë dy perona për kryerjen e këtij atentati. Më pas, vrasësi dyshohet se përmes rrugicave ka dalë pranë Sheshit “Wilson”, ku edhe u gjet e hedhur një qese me rroba.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 8 prill 2017, ku humbi jetën ish-drejtuesi i Policisë, Artan Cuku. Hetuesit kanë tashmë në dosje videot e kamerave të sigurisë së dy bizneseve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Sipas Prokurorisë, për hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar një grup hetimor, i cili po verifikon pistat e mundshme të vrasjes së Cukut. Atë të vrasjes për shkak të ish-detyrës si drejtues policisë, dhe përplasjeve të mundshme si administrator i kompanisë së ruajtjes fizike.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se janë në proces verifikimi telefonatat e disa personave që mund të kenë lidhje me vrasjen. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, bëhet fjalë për thirrje të kryera mes disa personave, që në kohën e vrasjes kanë qenë jashtë Tiranës. Të dhënat nga antenat celulare tregojnë se, ata kanë komunikuar me persona që kanë qenë në rrezen që mbulon antena e zonës, ku u vra komisari i policisë. Njëri nga atentatorët, sipas dëshmive të dhëna në polici nga administratorja e pallatit ku ndodhi krimi, komunikonte vazhdimisht në pritje të ardhjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.
Grupi hetimor po verifikon edhe komunikimet në dy aparatet telefonike smartphone të gjetura në vendin e ngjarjes, që i përkasin të ndjerit. Këta dy telefonë mësohet se janë pjesë e një grupi prej 13 objektesh, të sekuestruara në vendngjarje. Ata pritet të ekzaminohen nga ekspertët e teknologjisë së informacionit për të parë nëse ka komunikime apo mesazhe kërcënuese, apo komunikime të dyshimta mes Cukut e personave të tjerë. Hetuesit pritet të kërkojnë edhe tabulatet e komunikimeve telefonike të Cukut. Veç telefonave, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore edhe 13 objekte të ndryshme, mes tyre gëzhojat dhe predhat e plumbit të gjetura pranë vendit të vrasjes.
Ndërkohë, Policia e Shtetit kërkon ndihmë nga qytetarët për të bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, i cili dyshohet se ekzekutoi me disa plumba ish-shefin e policisë Cuku, rreth orës 20:11 të mbrëmjes së 8 prillit, në shesh pushimin e hyrjes së pallatit në rrugën e “Kosovarëve”. “Lutemi qytetarëve, se për çdo informacion që mund të kenë për të bërë të mundur identifikimin e tij, të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694110299. Policia e Tiranës, siguron ruajtjen e anonimatit dhe konfidencialitetin ndaj tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës së parë në hyrje të pallatit ku banonte, ku për pasojë gjeti vdekjen. Sipas ekspertizës, ai u qëllua me katër plumba, një në kokë, dy në gjoks dhe një në brinjë. Në vendin e ngjarjes, policia ka administruar 8 gëzhoja të dy pistoletave të ndryshme, të cilat po ekzaminohen.

Artikulli paraprakProkuroria: Shullazi po hetohet edhe për vrasje e trafik droge
Artikulli tjetërLlalla: Hetim për 120 tonelatat e drogës në Manzë dhe Ishëm