Elton Arbana, kandidati i PS për Bashkinë Shijakut, është bërë pjesë e përgjimeve në dosjen e Vangjush Dakos. Në përgjimin e fundit të publikuar nga media gjermane “Bild” Elton Arbana flet në telefon me Astrit Avdylajn në lidhje me disa gjoba të vendosur nga INUK. Mes tyre shfaqet një miqësi shumë e ngushtë.
Por nga ana tjetër Elton Arbana po merret me fushatën për zgjedhjet e 3 -qershorit për bashkinë e Shijakut. Në rrjetin social Facebook ai publikon foto nga takimet me qytetarët për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Vazhdojnë takimet me strukturat e Partisë Socialiste në Njësine Administrative Xhafzotaj. Me praninë e dy deputetëve z.Ndraxhi dhe z.Çyrbja dhe të koordinatorit elektoral z.Elton Varaku u diskutua mbi fushatën elektorale të 30 Qershorit ,por edhe për disa nga problematikat e zonës. Motorët e fitores janë ndezur kudo…Së bashku si një ekip i vetëm,të punojmë me përkushtim për Shijakun që duam. E gjithë vëmëndja tek ju.”, shprehet Arbana në një nga postimet e tij në Facebook.
Gazeta më e madhe në Europë, gjermania Bild, ka nisur të botojë përgjimet e dosjes 339, të cilat sjellin një panoramë të frikshme ku zyrtarët socialistë i nënshtrohen kreut të një grupi kriminal.
“Gjashtë përgjimet që pasojnë janë pjesë e një dosje zyrtare të mbikëqyrjes gjyqësore të një hetimi kriminal me numër 339/1, të zyrës së prokurorisë së antimafias sa i përke aktivitetit kriminal të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, të njohur si klani kriminal ‘Avdylaj’ në qytetin e Shijakut në Shqipëri.
Gjatë muajve të përgjimit, ndodh që në muajt pasues në vend mbahen zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe klani kriminal i Avdylajve përfshihet rëndshëm në blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve për llogari dhe në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, përfshi kryebashkiakun e Durrësit, qytetit të dytë më të madh në Shqipëri,”shkruan Bild.
Në përgjimin e katërt shihet se si zyrtarët e PS i binden urdhrave të Astrit Abvdylajt.
“Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak i telefonon kryetarit të PS për Shijakun, Elton Arbana, që është aktualisht kandidat i PS për kryebashkiak në Shijak.
Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim.
Kur Arbana pretendon se nuk ka autoritetet për shkak se e kanë hequr nga posti në Inspektoratin e Ndërtimit, bosi i krimit, Avdylaj këkon që ai t’u telefonojë inspektorëve, të ndalojnë gjobën, të kërkojnë ndjesë, përndryshe do e bëjë vetë. Në fund, kreu i PS në Shijak pranon dhe i thotë Astrit Avdylajt se ai do i telefonojë dhe do u thotë të kujdesen për ‘problemin’,” shkruan Bild.