Zbardhet denoncimi i plotë i vajzës së përdhunuar: Më ra të fikët në hotel nga torturat

Në deklarimin që ka dhënë para oficerit të Policisë Gjyqësore Emiljano Nuhu, më datë 30 korrik të këtij viti, Xhisela Maloku shpjegon me detaje episodet e dhunës, përndjekjes dhe kërcënimeve nga ana e Rexhep Rrajës, djalit të deputetit Rrahman Rraja.
Gjithashtu, ajo shpjegon edhe arsyet pse në disa raste është detyruar nën presionin e dhunës, kërcënimeve verbale dhe me armë në kokë, të tërhiqet në momentet e fundit, sa herë që ka shkuar për të bërë kallëzim në disa komisariate policie.
Xhisela Maloku ka shpjeguar edhe arsyen pse i është drejtuar Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës, sërish për të bërë kallëzim, edhe pse edhe në atë rast sërish është kërcënuar. Madje, gjatë gjithë kohës që ishte aty, ajo tregon se Rexhep Rraja e ka mbajtur pistoletën në brez.
Sipas saj, tek SHÇBA është paraqitur pasi është kërcënuar me jetë në zyrën e oficerit Gentjan Çitozi, ku kishte shkuar për të denoncuar Rexhep Rrajën, nga ky i fundit, babai i tij dhe 3 persona të tjerë, të afërm të tij. Madje e kanë detyruar që të dilte nga zyra, edhe pse ajo thotë që nuk guxonte të dilte, sepse disa persona të tjerë ia bënin me shenjë se do ta vrisnin në rast se nuk e tërhiqte kallëzimin.
E pasi është detyruar të dalë, e kanë çuar te makina dhe e kanë goditur me grushte në bark e i kanë vënë pistoletën në kokë. “Nuk guxoja të dilja nga zyra e oficerit Gentjan Çitozi, se ishin disa persona të tjerë dhe ma bënin me shenjë që do të vrasim në qoftë se nuk tërheq kallëzimin. Personat rrinin në ambientet e Policisë Fushë-Krujë.
Dua të shpjegoj që aty më morën një avokat dhe një psikologe kundër dëshirës sime dhe më thoshin: “Ti je budallaçkë dhe do të firmosësh deklarimin që do të përpilojë oficeri Gentjan Çitozi, se është miku jonë”. Unë ndenja rreth dy orë duke mos e firmosur deklarimin, por ishte e pamundur se po më kërcënonin me pistoletë. Më nxirrnin jashtë zyrës dhe i thoshin oficerit: ‘Na e lër ne se e rregullojmë’”, shprehet ajo në dëshmi, shkruan “Panorama”.

DEKLARIMI I PLOTE NE POLICI I XHISELA MALOKUT;
Procesverbal për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale Në Fushë-Krujë, më 30.07.2018, unë Emiljano Nuhu, oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Krujë, në mbështetje të neneve 303/2, germa “c”, 297, 155 deri 160 të Kodit të Procedurës Penale, mbaj këtë procesverbal për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale nga shtetasja: Xhisela Maloku, e bija e O. dhe V., e ditëlindjes 1993, lindur në fshatin Z., gjinia femër, kombësia shqiptare, shtetësia shqiptare, arsim i lartë, pa punë, gjendja familjare beqare, tel. 067 …, me dokument identifikimi nga Policia Gjyqësore.
Pasi iu shpjeguan nenet 155 deri 160 të Kodit të Procedurës Penale, të cilët bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe iu kërkua që të tregojë gjithçka di për rrethanat e veprës penale dhe personin të cilit i atribuohet vepra si dhe, pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme apo fsheh fakte dhe prova, në bazë të nenit 305/b të Kodit Penal, dënohet me burgim deri në 6 muaj. Me vullnetin e saj të lirë ajo deklaroi:
Pyetje: Çfarë marrëdhënie ke pasur me shtetasin Rexhep Rraja dhe cilit person i ke shprehur shqetësime lidhur me përndjekjen që ju ka bërë ky shtetas?
Përgjigje: Unë shtetasin Rexhep Rraja e kam njohur afërsisht në vitin 2012 dhe me të kam krijuar një marrëdhënie dashurie. Kjo marrëdhënie ka zgjatur deri në vitin 2017. Dua të shpjegoj që gjatë kësaj kohe unë i kam pasur shumë mirë marrëdhëniet me disa zënka të vogla verbale, por jo me dhunë fizike. Ndarja erdhi me kërkesën e shtetasit Rexhep Rraja, unë nuk pranova të ndahesha dhe i kërkova llogari pse po ndahemi. “Kështu dua unë, të ndahemi”, më tha. Gati për një muaj unë i kërkova llogari pse po ndahemi, ai nuk më jepte asnjë përgjigje. Unë s’po e kërkoja më, pastaj filloi ai të më kërkonte. Filloi të më merrte në telefon dhe vinte të më takonte

Pyetje: Kur të ka goditur për herë të parë shtetasi Rexhep Rraja dhe në ç’vend?
Përgjigje: Unë nuk e mbaj mend kur më ka goditur për herë të parë shtetasi i lartpërmendur, por mbaj mend herën e fundit që ndodhi më datën 19.07.2018. Dhe dua të shpjegoj së më këtë datë më kishte parë në rrugë dhe më mori në telefon e më tha: “Hajde më tako se dua të sqarohemi”. Unë shkova e takova te puna e tij, në rrugën Fushë-Krujë – Vorë, përballë hotel “Boçi”. Filloi të ulërinte me fjalë dhe më kapi për flokësh. Më solli një shoqe sms që a do dalim sot. Në ato moment ky më mori telefonin dhe ma theu, duke më thënë: “Me kë do dalësh sot?” Dua të them që, këto veprime i bëri kur unë isha në makinë me të përballë punës së tij, më pas u nis me makinë drejt hotel “Boçi”. Unë nuk pranova të shkoj lart në hotel me të, por më mori duke më bërë presion me anën e pistoletës.
Pyetje: Pistoletën ta drejtoi gjatë kohës që ishit në makinë me të apo në ndonjë ambient tjetër?
Përgjigje: Pistoletën ma drejtoi gjatë kohës që isha në makinë me të, më pas zbritëm dhe shkuam në hotel
Pyetje: Sa kohë ndenjët në hotel dhe a kryet marrëdhënie seksuale?
Përgjigjja: Unë ndenja me të në hotel rreth një orë. Gjatë kohës që ndenjëm në hotel më gjuajti me shpulla, me grushte dhe më drejtoi pistoletën. Më dogji me cigare në kofshë dhe më goditi në pjesën e kokës me pistoletë. Mua më ra të fikët dhe u përmenda më vonë. Nuk më kujtohet a kryem marrëdhënie seksuale. Kur u përmenda, po më merrte me të mira dhe më pas unë dola më përpara nga hoteli. Ai shkoi të paguajë lekët te recepsioni dhe më erdhi poshtë te makina ku unë po e prisja, duke më përqafuar dhe duke më bërë lajka që unë mos të vija në Polici për kallëzim. Shqetësimet e mia në lidhje me Rexhepin unë ia kam shprehur shoqeve të mia, shtetases Erisa S., Suada Z. dhe motrës sime A. Maloku

Artikulli paraprakDel ekspertiza për Xhisiela Malokun: Konfirmon masakrimin nga torturat
Artikulli tjetërNisin protestat, nesër ora 11.00 para Kryeministrisë, mjaft më me horrat, organizim qytetar!