Zbardhet denoncimi i Rohrabacher për Ramën: Pastrim parash me foton

Gazeta zbardh të plotë denoncimin që kongresmeni Rohrabacher ka bërë tre vjet më parë në qershorin e vitit 2013 pranë zyrës së Prokurorit Federal, të Shteteve të Bashkuara, Eric Holder dhe Kryetarit të Komisionit Federal të Zgjedhjeve për foton e Ramës me Presidentin Obama.
Të gjitha dyshimet e servirura nga kongresmeni amerikan janë provuar si të vërteta sot nga drejtësia amerikane. Bilal Shehu, njeriu pas të cilit është fshehur Rama ka pranuar të gjitha akuzat e ngritura në denoncimin e kongresmenit Rohrabacher, i cili e kishte akuzuar direkt Ramën për pastrim parash me foton 80 mijë dollarëshe. Kongresmeni amerikan ngrinte dyshimet në atë kohë se këto financime të dyshimta mund të përdoreshin për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, gjë të cilën Rama e bëri menjëherë pas realizimit të fotos, duke servirur në fushatë si një mbështetje të Presidentit Obama për të në zgjedhjet e vitit 2013. Duhet të kujtohet se fotoja është bërë në tetorin e vitit 2012, ndërsa denoncimi para drejtësisë amerikane i kongresmenit, Dana Rohrabacher është bërë në qershorin 2013, ndërsa pranimi i krimit nga Bilali është bërë vetëm përpara një jave dhe hetimi vazhdon, ndërsa pritet që vendimi të jepet në tetor.

Denoncimi

Foto e Edi Ramës me Presidentin Barak Obama e realizuar në 8 tetor të vitit 2012 dhe e publikuar në hapje të fushatës elektorale në Shqipëri ngjalli shqetësim në radhët e Kongresit amerikan. Për të bërë këtë foto, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dyshohej në denoncimin e atëhershëm se kishte përdorur biletën e një gruaje, e cila kishte paguar 80 mijë dollarë për të qenë e pranishme në darkën e mbledhjes së fondeve në fushatën e Presidentit Obama tetorin e kaluar në San Françisko.
Kjo ishte pjesë e padisë së bërë nga kongresmeni amerikan, Dana Rohrabacher, i cili i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve në SHBA të nisë hetimet për atë që ai e quante si mashtrim të Edi Ramës.
Letrën drejtuar Prokurorit Federal, Rohrabacher e publikoi dhe në website-n e tij. “Edi Rama, kandidat i Partisë Socialiste për Kryeministër të Shqipërisë, ka promovuar shpesh një foto të vetes me Presidentin Barak Obama, me shpresën se kjo do ta ndihmojë atë të fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Çështja është se fotoja mund të jetë rregulluar me ndihmën e një kontributi të madh fushate, që pretendohet të jetë bërë nga një shqiptar i Nju Xhersit.
Është raportuar se, Bilal Shehu dhe gruaja e tij kanë blerë dy bileta 40 000 dollarëshe te një mbledhës fondesh për Fondin e Fitores së Obamës 2012, të mbajtur në mbrëmjen e 8 tetorit 2012. Gruaja nuk mori pjesë dhe biletën e saj e përdori zoti Rama për të pasur mundësinë të pozojë me Presidentin Obama. Është supozuar në shtyp se 10 mijë dollarë nga paratë e biletave ishin për të siguruar foton”.
Asokohe kryesocialisti e njoftoi takimin me Presidentin amerikan në profilin e tij në Twitter, duke e cilësuar atë si një takim të paharruar. Por kongresmeni Rohrabacher flet për financime të dyshimta që mund të jenë pjesë e një skeme për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Zoti Shehu është një shofer limuzine, i cili raportohet se nuk ka dhënë kurrë më parë para për një fushatë. Është e dyshimtë nëse familja Shehu mund të ketë ofruar të paguajë 80.000 dollarë për të marrë pjesë në një ngjarje të fushatës, apo për të fluturuar nga shtëpia e tyre në Nju Xhersej, për në Kaliforni. Nga erdhën këto para?”
“Shtetas të huaj si Rama e kanë të ndaluar të kontribuojnë në fushatat zgjedhore të SHBA-ve, dhe pastrimi i parave përmes kontributeve të fushatës nëpërmjet dikujt tjetër përbëjnë krim. Që këto financime të dyshimta mund të jenë pjesë e një skeme për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, një aleate e NATO-s, e bën këtë një çështje të vlefshme për hetim”.
Kongresmeni thotë se në këtë mënyrë mund të jenë shkelur ligjet elektorale në Shqipëri e Shtetet e Bashkuara dhe se shqiptarëve u është servirur një foto tërësisht e rreme.  “Ligjet elektorale në të dy vendet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëri, mund të jenë shkelur. Të paktën, popullit shqiptar i është servirur një foto që është tërësisht e rreme. Të sajosh një lidhje me Presidentin Obama është mashtrim. Nëse janë përdorur financime të huaja për të bërë këtë foto, do të thotë se ligjet amerikane janë shkelur. Nëse kjo foto është përdorur për të sajuar një lidhje të vazhdueshme, mbi popullin e Shqipërisë po kryhet një mashtrim”.
Kongresmeni amerikan ngre një sërë pyetjesh lidhur me praninë e Ramës në darkën e 8 tetorit. A ka pasur ndonjë fshehtësi në lidhje me shmangien ndaj ligjeve elektorale të Shteteve të Bashkuara në këtë rast? Nga erdhën paratë për blerjen e biletave për aktivitetin e mbledhjes së fondeve elektorale? Si arriti zoti Shehu nga New Jersey në Kaliforni për të marrë pjesë në këtë aktivitet? Çfarë bënte një politikan i spikatur i huaj në një aktivitet grumbullimi fondesh elektorale, pjesëmarrja në të cilin atij i ndalohet me ligj? Unë do të kërkoja që një hetim të plotë dhe të menjëhershëm për këtë çështje. Po ja dërgoj këtë kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm Eric Holder dhe kryetarit të Komisionit Federal të Zgjedhjeve”, përfundon denoncimi që kongresmeni Dana Rohrabacher bëri për foton e Ramës me Obamën. Fotoja e bërë nga fotografi zyrtar i Obamës në San Francisko u publikua nga stafi elektoral i Edi Ramës në hapjen e fushatës elektorale.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprak6 hapat që zgjidhin procesin e Vetingut
Artikulli tjetërTë shtëna me armë në Tiranë dhe Elbasan, rendi jashtë kontrollit