Zbardhet gjobvënia e Shullazit, arrestohen dy ushtarët e tij

Kapobanda Emiljano Shullazi ka urdhëruar nga qelia e burgut ku ndodhet prej disa muajsh vënie gjobe 1 milion euro një biznesmeni. Dy ushtarët e tij, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, që ka dhe lidhje gjaku me Shullazin, u arrestuan dje pas kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda. Sipas burimeve të Prokurorisë, Qyqja, nip i Shullazit, përfundoi në pranga sapo kishte mbaruar takimin me kapobandën në Burgun 313 në Tiranë. Ai u ndalua në lokalin përballë burgut. Ndërsa, Endrit Zela u arrestua brenda ambienteve të burgut, sapo kishte dalë nga takimi me Shullazin.
Burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se dy personat e arrestuar, në emër të Emiljano Shullazit, i kanë vendosur një gjobë 1 milion euro një biznesmeni të njohur në Tiranë. Ka qenë denoncimi i biznesmenit që Prokuroria ka nisur hetimet ndaj anëtarëve të bandës së Emiljano Shullazit që ka çuar edhe në arrestimin e tyre.
Prokuroria i dorëzoi policisë urdhër-arrestet rreth orës 12:30 dhe u ekzekutuan vetëm 5 minuta më vonë. Prokuroria i akuzon këta dy persona se në bashkëpunim me Emiljano Shullazin e Gilmano Danin, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike. Biznesmeni që ka bërë denoncim në Prokurori, i ka identifikuar ata.
Në këtë mënyrë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rikonfirmuar akuzat për Emiljano Shullazin.
Organi i akuzës thotë se, Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Po në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare. Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit.
Arrestimi i dy personave që janë pjesë e grupit të Shullazit vjen pak ditë pas publikimit të raportit të PAMECA 4, e cila për arrestimin e Shullazit tha se ishte kryer pa hetime të thelluara.

Hetimi i Prokurorisë

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, të dyshuar për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vendimi i Gjykatës është zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Tiranës mesditën e së enjtes, në momentin që ata po linin ambientet e burgut, ku kishin patur një takim me Shullazin.
Prokuroria sqaron se, dy të arrestuarit e sotëm, në bashkëpunim me Emiljano Shullazin e Gilmano Danin, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash një biznesmeni, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike. Prokuroria për Krime të Rënda bën të ditur se është duke zhvilluar hetime për një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për “gjobvënie”. Gjatë këtij hetimi fillimisht janë shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmano Dani dhe Blerim Shullazi.
Në bazë të veprimeve hetimore ka rezultuar se, Shullazi dhe Dani dyshohet se i kanë marrë një biznesmeni shuma parash në kohë të ndryshme, duke e kërcënuar fizikisht, si edhe duke ushtruar dhunë fizike. Në disa nga rastet e kërcënimit për dhënie pasurie, në shoqërinë e Shullazit dhe Danit kanë qenë edhe Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Po në bazë të veprimeve hetimore rezulton se të dyshuarit Qyqja dhe Zela kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.
Gjithashtu, këta persona kanë përfituar sasi monetare të lëvruara me çek nga ana e biznesmenit të dëmtuar, në favor të tyre, me porosi të Emiljano Shullazit. Në rastet e të dyshuarve Qyqja dhe Zela, rezulton se ndërmjet tyre dhe biznesmenit nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale. Për këtë arsye, kërkimi i parave është realizuar në mënyrë të padrejtë, si edhe duke përdorur dhunën fizike dhe verbale.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet e arsyeshme, bazuar në prova, se Endrit Qyqja dhe Endrit Zela kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Shtrëngimit me anën të kanosjes për dhënie pasurie”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Qyqja dhe Zela, të cilat janë miratuar nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda.

Kush është biznesmeni që u gjobit me 100 mijë euro nga ushtarët e Shullazit

Zbardhet emri i biznesmenit ndaj të cilit bashkëpunëtorët e Emiljano Shullazit vendosën gjobë 100 mijë euro. Burime të Lapsi.al thonë se, bëhet fjalë për biznesmenin Ylvi Beqja nga Durrësi. Ky biznesmen pak kohë më parë deklaroi se i kishte dhënë 20% të hotel “Vollgës” Emiljano Shullazit, ndërsa më pas dy bashkëpunëtorët, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, i kishin vendosur gjobë prej 1 milion euro.  Qyqja dhe Zela u arrestuan dje, teksa dolën nga paraburgimi ku ishin takuar me Emiljano Shullazin.
Lidhur me çështjen e pronësisë së hotel “Vollgës”, pak kohë më parë administradori i firmës arabe, Ylvi Beqja, i kishte dërguar një letër kryeprokurorit Adriatik Llala, ku ndër të tjera i thoshtë se nuk kishte faj Emiljano Shullazi, por noterët, gjyqtarët dhe hipoteka. Ylvi Beqja është gjithashtu edhe pronari i kompanisë së kafes “Pascucci Albania”.
Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dje u arrestuan dy ushtarët e Emiljano Shulllazit vetëm pak çaste pasi kishin dalë nga paraburgimi, ku u takuan me kapobandën të akuzuar për gjobëvënie.
Endrit Qyqja dhe Endrit Zela dyshohet se janë pjesë e grupit, të dyshuar për disa gjobëvënie dhe atentate në Tiranë dhe Durrës. Sipas Prokurorisë dy të arrestuarit, në bashkëpunim me shtetasit Emiljan Shullazi e Gilmano Dani, si edhe për llogari të këtyre të fundit, i kanë marrë shuma të konsiderueshme parash biznesmenit, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës fizike.

Dëshmia e biznesmenit që “fundosi” Shullazin

Një biznesmen në fushën e bojërave në Shqipëri, ka dëshmuar kundër “bandës” së Emiljano Shullazit. Bëhet e ditur se Prokuroria i ofroi statusin e bashkëpunëtorit biznesmenit, i cili rrëfeu se ka paguar 100 mijë euro me çeqe dhe llogari bankare për Shullazin pas dhunës e kërcënimeve për jetën. Me dëshminë e tij, biznesmeni i bojërave ka fundosur Emiljano Shullazin dhe “bandën” e tij për akuzën e “gjobëvënies” në bashkëpunim. Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se, ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me një biznesmen të njohur në vend, që ka përfaqësi e një kompani të madhe bojërash në Shqipëri. Emri i biznesmenit, nuk bëhet i ditur për arsye sigurie, por mësohet se ai ka larguar familjen nga Shqipëria. Ndërkohë, vetë ka pranuar të bëhet pjesë e programit të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, duke rrëfyer kërcënimet, dhunën fizike dhe gjobat që i ka paguar Shullazit dhe “bandës” së tij.
Burimet thonë se, për një periudhë 2-vjeçare, dyshohet se Shullazi i ka marrë me anë të kërcënimit dhe dhunës fizike biznesmenit rreth 100 mijë euro. Para, të cilat, mësohet se biznesmeni i ka paguar me çeqe, llogari bankare dhe me kompani transfertash të parave, duke lënë gjurmë në sistem. Kjo ka lehtësuar punë në mbledhjen e provave për Prokurorinë, pasi deklarimet e biznesmenit provohen edhe me faktet konkrete, si fatura të tërheqjes së parave nga të dyshuarit, Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endri Zela për llogari të Emiljano Shullazit.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se është provuar se në disa raste ka qenë i pranishëm vetë Shullazi, gjatë dhunës fizike e kërcënimëve për jetën ndaj biznesmenit të bojërave, i cili i ka paguar në dorë me çeqe edhe vetë të dyshuarit si kreu i “bandës”.
Burimet thonë se nga hetimet e kryera, rezulton se mes biznesmenit dhe të dyshuarve nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale apo biznesi të përbashkët, që të dyshuarit të përfitonin shumat e caktuara të marra nga biznesmeni.
Sipas Prokurorisë, pas administrimit të dëshmisë së biznesmenit u bë arrestimi i dy të dyshuarve Endrit Qyqja dhe Endri Zela, të cilët në bashkpëunim me Blerim Shullazin, Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin akuzohen për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

R.POLISI

Artikulli paraprakShoferi i aksidentit me 4 viktima ndiqej nga policia
Artikulli tjetërNga po vjen skenari për trazira sociale