Zbardhet kartela mjekësore e Jorgo Zanit

Jorgo Zani, 31-vjeçari i cili masakroi të mërkurën në Palasë një 12-vjeçar, ka dalë nga Spitali Psikiatrik i Vlorës pasi babai i tij, Petro Zani mori përsipër përgjegjësinë për kujdesin ndaj tij. Në kartelën mjekësore të Zanit përshkruhet e gjithë sjellja e tij, që nga momenti i mbërritjes në Spital e deri në largimin, më 5 nëntor 2015. Në Epikrizën e Daljes, thuhet se gjatë qëndrimit në spital ai ka patur përmirësime dhe se i këshillohet mjekim ambulator në shtëpi. Diagnoza përfundimtare është “çrregullime personaliteti si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike”. Drejtori i Spitalit, Kujtim Llapi, konfirmon se pas mjekimit të marrë, ka qenë i ati ai që e ka nxjerrë nga spitali 30-vjeçarin. Në Kartelën Mjekësore të Jorgo Zanit, shkruhet se kanë qenë banorët e zonës ata, të cilët janë ankuar për sjelljen e tij duke njoftuar dhe policinë. Ka qenë pikërisht një oficer policie dhe një infermiere, ata që e kanë dërguar atë në spitalin “Ali Mihali” në Vlorë. Në rubrikën “Arsyet e ardhjes në Klinike”, shkruhet se Zani shfaqte sjellje konfrontuese edhe me fëmijët e lagjes, madje deri në sjellje kanibaliste ku therte dhe qentë dhe kafshët e punës, për t’u ushqyer me mëlçinë e tyre.

Drejtori i spitalit: Monstra e Palasës kurohej për drogë
Drejtori i Spitalit Psikiatrik të Vlorës, Kujtim Llapi, tha dje se autori i vrasjes së fëmijës në Palasë, Jorgo Zani, 30 vjeç, ka qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik më 2015 me diagnozën “çrregullime të theksuara të personalitetit” si pasojë e përdorimit të substancave narkotike. Ai theksoi se pasi është qetësuar, është nxjerrë nga spitali në kushte normale. Kjo është bërë pas konsultës së mjekëve të spitalit. “Nga kartela dhe të dhënat që kemi, rezulton se shtetasi Jorgo Zani është kuruar edhe në shtetin grek për vite me radhë si përdorues i lëndëve narkotike. Ai merrte mjekim si përdorues i lëndëve narkotike, por nuk merrte mjekim si i sëmurë mendor. Madje, mesa di, nuk ka përfituar as kujdestar, sepse sipas mjekëve nuk ka pasur diagnozë të rrezikshme”, u shpreh drejtori i psikiatrikut. “E theksoj se Zani ka qenë i shtruar te ne për problemet që kishte me drogën dhe nuk ka një diagnozë si i sëmurë mendor.  Diagnoza që i është dhënë ka të bëjë me çrregullimet për shkak të përdorimit të drogës”, u shpreh Llapi. Drejtori i spitalit, Kujtim Llapi, konfirmon se pas mjekimit të marrë, ka qenë i ati ai që e ka nxjerrë nga spitali 30-vjeçarin.
“Pacienti është mjekuar deri më datë 5 nëntor 2015. Më mbrapa, pasi është njoftuar dhe i ati, është qetësuar dhe është dominuar nga mjekimi i vendosur nga spitali dhe në datën 5 ka dalë. Ka firmosur dhe i ati kartelën, sipas të gjitha procedurave”, thotë Kujtim Llapi, drejtori i Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë. Por i pyetur se si mund të lihet i lirë një person, i cili shfaq rrezikshmëri me sjelljen e tij, Llapi ka shpjeguar. “Detyra jonë është që të japim mjekimin derisa të vendosë konsulta që pacienti është në rregull. Ne jemi të detyruar të zbatojmë Ligjin 44/2012 për shëndetin mendor dhe të gjithë pacientët kanë të drejtat njësoj si dhe ne që jemi normalë. Nëse pacienti thotë do të dal, je i detyruar ta lësh të dalë. Nëse firmos familjari, je i detyruar ta lësh. Jepen rekomandimet e nevojshme që të vazhdojë mjekimin atje ku do të shkojë”, thotë Llapi.

Exit mobile version