Zbardhet skema, si u blenë votat e emigrantëve nga PS

Bandat e PS blenë edhe votat e emigrantëve me paratë e drogës. Një nga emigrantët që u detyrua të vijë nga Greqia për të votuar më 25 qershor tregon edhe skemën se si u blenë votat nga njerëz të Partisë Socialiste. Emigrant,i tregon se dy ditë para votimeve njerëz të PS kishin shkuar në Greqi, duke u kërkuar emigrantëve që të vijnë të votojnë për Edi Ramën kundrejt pagesës së rrugës vajtje-ardhje dhe ushqimit. Ai tregon se këta persona të panjohur, me listë në dorë ndanin para për t’i detyruar emigrantët që të vinin në Shqipëri dhe të votonin për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
“Na mblodhën në një sallë dhe na thanë se duhet të vinim për të votuar në Shqipëri. Ata thanë se është shumë e rëndësishme që edhe këtë herë të fitojë Edi Rama. Ne do t’ua paguajmë rrugën vajtje-ardhje me autobusë dhe taksi që të votoni për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”, tregon emigranti.
Ai thotë më tej se, gjatë mbledhjes në sallë u ngritën shumë emigrantë dhe deklaruan se nuk do të shkonin në Shqipëri për të votuar, por kur dolëm jashtë, na thirrën dhe na ofruan para që të votonim për Ramën. “Kur po dilnim jashtë nga salla na erdhën ata të PS me lista në dorë dhe na dhanë nga 100 euro që të vinim në Shqipëri dhe të votojmë për Edi Ramën. 100 euro për votë dhe rrugën e paguar vajtje-ardhje me taksi. Na thanë se kurdo që të ktheheshim nga Shqipëria për në Greqi të hënën apo të martën rruga është e paguar po ashtu edhe ushqimi gjatë rrugës”, tregon emigranti.
Një javë para votimeve shkuan në Greqi edhe ministrat e Ramës, Mirela Kumbaro dhe Bledi Çuçi për të zhvilluar një takim me emigrantët, por ata janë pritur me revoltë nga disa prej emigrantëve që ndodheshin në sallë. Një qytetare, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, tregoi për mediat se ishte dhunuar nga shoqëruesit e ministres dhe të tjerë militantë, sapo ka pyetur se kur do të përfundojë kanabizimi në Shqipëri.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi u shprehën se takimi me emigrantët shqiptarë në Greqi ka qenë mjaft entuziast, por mediat greke treguan të kundërtën. Emigrantët kanë reaguar ashpër, duke fyer kryeministrin dhe kandidatët për deputetë. Situata degjeneroi deri në fyerje, goditje dhe nxjerrje jashtë nga bodigardët, ku si pasojë mbetën disa të lënduar.
“Më marrin mikrofonin, aty fillojnë kërcënimet dhe presioni më i shumtë ka qenë nga gratë e Shqipërisë. Unë shmangem në moment, gjatë goditjeve. Fillova të qaja, e ndjeva veten shumë të ulët. Aty kisha dhe simpatizantët e mi, të gjithë u shtangën, kurse znj. ministre karaliste për Edi Ramën”, tregoi për mediat një nga emigrantet e dhunuara nga bodigardët e ministrave.
Pikërisht pas reagimeve të ashpra të emigrantëve ndaj ministrave të Ramës dhe kundërshtimin e shumë prej tyre për të ardhur në Shqipëri që të votojnë për Edi Ramën, janë organizuar bandat e PS që të shkojnë në Greqi për të blerë me para votat e emigrantëve. Emigrantët që njiheshin për bindjet e tyre të majta erdhën me autobusë nga Greqia për të votuar në Shqipëri, ndërsa ata që kundërshtuan dhe më pas u paguan me nga 100 euro për votë erdhën me taksi. Taksisti ishte paguar për rrugën vajtje-ardhje si dhe për shpenzimet që do të bënin emigrantët gjatë udhëtimit.
Blerja e votës u bë masivisht në të gjitha qytetet dhe fshtarta e vendit si para zgjedhjeve edhe gjatë ditës së votimit. Presion është ushtruar edhe ndaj mësuesve që të votojnë për Partinë Socialiste. Dy ditë para votimeve, drejtorët e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare u kanë kërkuar mësuesve që të votojnë për PS se në të kundërt, ata pushohen nga puna më datën 26 qershor.

R.POLISI

Exit mobile version