Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ankimin e bërë për heqjen e masës së sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Përmes një vendimi të marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, Kushtetuesja ka vlerësuar të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, duke i lënë kështu në fuqi vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për masën e sekuestros ndaj shoqërisë “INTEGRATED ENERGY BV SPV” SH.P.K. dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme të saj.
Masa e sekuestros së kërkuar nga SPAK u miratua në Gjykatën e Posaçme në korrik të vitit të shkuar e më pas edhe në Apel dhe Gjykatën e Lartë, pas dyshimeve se aksionerët de facto të saj janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Sipas SPAK, dy biznesmenët në kërkim nga drejtësia kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmën si pronarë të vërtetë të shoqërisë që fitoi kontratën koncesionare 128 milionë euro dhe se përmes faturave tatimore të falsifikuara ata dyshohet se kanë përfituar 400 milionë lekë. Në ankimin e bërë në Kushtetuese, shoqëria koncesionare pretendonte se i ishte cënuar e drejta e pronës, se sekuestroja ishte vendosur pa prova dhe se SPAK kishte krijuar terma juridikë si “pronari de facto” për të legjitimuar sekuestron.
Në vendimin e arsyetuar Kushtetuesja thekson se shoqëria koncesionare nuk ka arritur të argumentojë se cilat janë pasojat e drejtpërdrejta dhe në çfarë mënyre është cenuar ajo nga vendimet e vendosjes së masës së sekuestros. Sipas Kushtetueses, shoqëria koncesionare nuk ka arritur të provojë nëse zbatimi i kontratës së lidhur me institucionin shtetëror vijon ose është ndërprerë.
“Me fjalë të tjera, ajo nuk ka arritur të identifikojë cila prej tagrave të pronësisë është kufizuar nga masa e sigurimit pasuror dhe se si ky kufizim cenon deri në atë masë të drejtën substanciale të pronës, sa nuk mund të riparohet në procesin e themelit. Sikurse rezulton nga rrethanat e çështjes, kërkuesja, si person juridik, është subjekti i cili ka nënshkruar kontratën me institucionin shtetëror, për të cilën janë nën hetim një numër i konsiderueshëm i funksionarëve të lartë shtetërorë, ashtu edhe individë të cilët rezultojnë të kenë marrë pjesë ose të kenë nënshkruar kontrata me shoqërinë kërkuese”.
Për këtë shkak, thekson Kushtetuesja, objektit të ankimit kushtetues i mungonte legjitimiteti, çka pamundësonte tejkalimin e fazës së shqyrtimit paraprak. Dosja penale me 12 të pandehur për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve edhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme./A2 CNN