Detaje mjaft interesante dhe domethënëse nga vendimi i zbardhur i GJKKO-së dhe gjyqtari Erion Bani janë publikuar së fundmi që tregojnë dhe mënyrën se si funksiononte skema e pastrimit të parave të Ajola Xoxës dhe Erion Veliajt.
Të dhënat tregonin qartë se si Bashkia e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj me firmën e tij ka dhënë fonde për OJF-të e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe familjarëve të tyre, duke bërë që fondet e bashkisë të kalonin në xhepat e tyre.
Sot do të sjellim një tjetër fakt që tregon se si përfundonin paratë e institucioneve në xhepat e Ajola Xoxës.
KOMUNIKIMET, ADELA KONDAKÇIU DHE INA GOXHAJ
Në dosjen hetimore ka disa komunikime mes shtetases Adela Kondakçiu, e cila ishte financierja dhe Ina Goxhaj ish-drejtoresha e BYL-A-s, njërës prej OJF-ve të Ajola Xoxës, e financuar gjithashtu nga Bashkia e Tiranës.
Nga komunikimet e zhvilluara mes shtetases Adela Kondakçiu dhe Ina Goxhaj jepet një panoramë mjaft e qartë se si në të vërtetë kanë funksionuar organizatat e krijuara dhe të kontrolluara faktikisht nga shtetasja Ajola Xoxa, por edhe persona të tjerë të identifikuar gjatë procesit hetimor.
Ina Goxhaj figuron të jetë drejtoreshë ekzekutive e organizatës jofitimprurëse BYL-A. Për herë të parë në komunikimet e këtyre dy shtetaseve përmendet një tjetër OJF, SHIZI, e cila i referohet në emërtim Shoqatës për Integrimin e Zonave Informale. Duket se zyra e shtetases Ajola Xoxa ka lidhje me këtë organizatë.
Adela Kondakçiu dhe Ina Goxhaj nisin të flasin për një shtetase që ato vetë e thërrasin “Ilda”, e cila nuk ka qenë e mundur të takohej pasi është larguar në SHBA. Në vijim, konstatohet se Ina Goxhaj nuk merr dot asnjë vendim, megjithëse drejtore ekzekutive e kompanisë. Ina Goxhaj në fakt shprehet se për deklarimet e 3-mujorit të pagave duhet të flasin me Ildën.
Ina Goxhaj: Ti po t’i shkosh në zyrë, shko dhe sqarohu.
Adela Kondakçiu: Ti figuron e punësuar te BYL-A akoma, s’e di vitin tjetër pasi të kalojë pasive mbase edhe mundesh, por s’besoj që bëhet gjë për këtë vit.
Një tjetër moment me interes për hetimin për sa i përket funksionimit të organizatës, është edhe fakti që Ina Goxhaj megjithëse ishte drejtoresha nuk kishte fuqinë për të marrë vendime.
Në këtë rast, Ina Goxhaj i drejtohet Adela Kondakçiut me një pyetje konfidenciale (tekstualisht) në lidhje me lekët që kishin mbetur te BYL-A dhe çfarë do të ndodhte nëse do t’i tërhiqte, a e justifikonin dot si veprim?
Adela Kondakçiu: E mira do të ishte të mos bëje tërheqje sepse nuk kemi fatura për ta justifikuar, por mund ta kalosh si pagë e prapambetur te llogaria jote direkt.
Mesa kuptohet, bashkëbisedueset shfaqin pakënaqësi ndaj shtetases Ajola Xoxa.
Ina Goxhaj: “Hiqja vizën. Boll ke duruar. Sikur jemi zare të tyre”.
Më tej në komunikime zbardhet fakti që si Adela Kondakçiu, si Ina Goxhaj, nuk paguheshin për punën e tyre te BYL-A. Meqenëse duhet të ishte Ina Goxhaj personi që merrte vendime në lidhje me organizatën është e natyrshme që nga komunikimet të arrihet në konkluzionin se vendimet i marrin personat e tjerë.
“Super, do bëjmë luftë. S’ka më. Do t’ia themi, me shpatë në dorë”, shprehet Ina Goxhaj.
MESAZHET, SI FUNKSIONON OJF, PARATË NË XHEPAT E AJOLA XOXËS
Në faqen 257 nis një bisedë me interes që zgjat për shumë kohë përmes së cilës organi procedues ka kuptuar si funksionon në të vërtetë një OJF si BYL-A, e cila përfiton fonde publike nga institucione të ndryshme përfshirë këtu edhe Bashkinë e Tiranës.
Ina Goxhaj merr porosi nga Anxhela Qunaj: “Ina dërgoni dhe një përmbledhje raporti narrative të ndërmjetme bashkë me atë financiar”.
Ina Goxhaj sqaron Adela Kondakçiun për “sms”, kjo e fundit i përgjigjet: “Atë financiar? Atë që dërguam financiar i bie po duhet ta bëjmë përmbledhëse se ça kemi për të paguar me 15.000 USD?”
Ina Goxhaj: “Në lidhje me ato aktivitetet dhe se çfarë kemi paguar, por që janë vënë në buxhet”.
Është e qartë se bëhet fjalë për një aktivitet, i cili do të financohet në dollarë amerikanë, dhe si do të shihet në vijim, është financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Gjithashtu sipas organit procedues është e qartë, se nisur edhe nga thonjëzat e përdorura te fjala “paguar”, ka pasur pagesa fiktive. Kjo ka rezultuar si nga komunikimet që pasojnë ashtu edhe nga deklarimet e shtetases Ina Goxhaj, por edhe provat e siguruara nga burime të hapura.
Në faqen 264 kuptohet që dollarët e përmendur më sipër, financohen nga Ambasada Amerikanë në Tiranë. Më datë 29.04.2022, Adela Kondakçiu njofton se kanë kaluar 14.940 USD.
Adela Kondakçiu për herë të parë shfaq shqetësim për realizimin e projektit të financuar nga Ambasada Amerikane.
Komunikimi i mëposhtëm në të njëjtën faqe tregon që të paktën deri më datë 30.05.2022 nuk është realizuar asnjë aktivitet, duke pasur parasysh që shtrirja në kohë e aktivitetit i përket periudhës janar-korrik 2022.
Adela Kondakçiu thotë: “Por kam një shqetësim që është realizimi i projektit sepse ambasada do të dojë disa foto apo jo?”
Ky komunikim tregon qartë se të paktën deri në këtë datë nuk është bërë asgjë nga projekti i financuar nga Ambasada në fjalë. Kjo duket edhe më qartë në komunikimet që pasojnë.
Nga këto bisedime konstatohen përpjekjet për të gjetur fatura fiktive në lidhje me projektin në fjalë, në rastin konkret për Web Posterat.
Adela Kondakçiu: “Tani besoj ju edhe do bëni ndonjë gjë nga këto apo jo. D.m.th. realisht”.
Ina Goxhaj: “Ne baner duhet të bëjmë dhe besoj se do bëhet mbyllja me aktivitetin”.
Pra, provohet se për këtë projekt Kondakçiu dhe Goxhaj planifikojnë të lëshojnë fatura fiktive për punë të pakryera duke menduar që edhe të bëjnë ndonjë punë “realisht”.
Ashtu siç vërtetohet edhe nga komunikimet të paktën deri në datën 02.06.2022 nuk është përgatitur raporti për ambasadën në mënyrë që të justifikohen fondet e përfituara.
Adela Kondakçiu: “Edhe pjesën e faturave e rregullojmë bashkë besoj. Do paguajmë edhe kostot e komisioneve për të kthyer lekët. Edhe do lëmë nam me ambasadën”.
Ina Goxhaj: “Tani se duhen të bëhen aktivitete”.
Të tjera komunikime në lidhje me paratë.
Ina Goxhaj shprehet në lidhje me një person që ka takuar në Bashkinë Tiranë: Dje e di si me tha ai çuni te bashkia. THA KËTO S’I MERRNI JU. THA EUU KUSH I MERR KETO LEKËT. JU VINI DHE FIRMOSNI KAQ”.
Adela e pyet: “Ju të organizatës apo ju punonjësit e kishte ai?”
Ina Goxhaj i përgjigjet: “OJF”.
Ina Goxhaj vijon: “JANË TË MËDHENJ ATA QË I MARRIN”.
Adela Kondakçiu i përgjigjet: “AMAN SE JANË NGATËRRUAR ME SHUMË GJËRA.”
Ina Goxhaj: “D.M.TH. I MERR AJO PËR JU”.
Ina vijon duke i thënë Adelës: “Ti je në pozitë. E kuptoj”.
Nga sa më lart, rezulton e qartë se lekët e financimeve, përfshirë këtu ato të bashkisë, nuk administrohen dhe për më tepër të shkojnë në formën e ndonjë përfitimi te personat që de jure menaxhojnë OJF-të, por te persona të tjerë që ato i quajnë shefat.
Adela Kondakçiu vijon: “Këto do shpenzojnë shumë-shumë lekë. Dhe ishalla po i mbulojnë të paktën nja 60-70% me këto sponsorët”.
Ina Goxhaj i përgjigjet: TMERR KËTU ËSHTË TEATËR. MË VJEN PËR TË VJELLË PLEHRAT. TURP.
Në faqen 663 flitet për pjesën tjetër të fondit që pritet nga ambasada, por kjo e fundit pret raportet narrative dhe financiare.
Adela Kondakçiu i komunikon Inës, e cila duket në padijeni të plotë, se ata të zyrës kanë bërë disa kontrata për zërat e buxhetit dhe i kërkon të jetë edhe ajo, por nuk është vendosur fiks se si do procedohet me pagesat sepse do diskutohet në një moment të dytë.
Pra, rezulton që kontratat të cilat duhej të paraprinin zhvillimin e aktivitetit bëhen më pas dhe se akoma nuk është vendosur si procedohet me pagesat, duke lënë qartazi të kuptohet se vendimi për këtë u takon personave të tjerë dhe ai merret post factum.
Ky është një rast ku nga komunikimet mes financieres Adela Kondakçiu dhe ish-drejtoreshës Ina Goxhaj tregohet se si lëshoheshin fatura fiktive për aktivitete që nuk kryheshin për të cilat institucionet jepnin fonde, por ato u kaloheshin OJF-ve, përfshirë këtu edhe fondet e bashkisë firmosur vetë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Në këtë mënyrë fondet Veliaj i çonte sërish në xhepat, pasi thuhet qartazi se përfitimet shkojnë tek OJF të cilat nuk paguajnë as punonjësit./ CNA.al
![ZBARDHJA E KOMUNIKIMEVE NGA GJKKO: Ja si përfundonin paratë e institucioneve në xhepat e Ajola Xoxës 640 0 a9 1739616785](https://cdnimpuls.com/oranews.tv/media3/-640-0-a9-1739616785.jpg)