Zbarkimi amerikan, DEA dhe CIA tek kokaina

GAZETA 2016.indd

Katër agjentë të DEA-s amerikane kanë mbërritur në Durrës për kokainën kolumbiane të sekuestruar pak ditë më parë. Bëhet e ditur se ekspertët amerikanë po verifikojnë operacionin e dështuar të policisë shqiptare për kapjen e bosëve të 613 kg kokainës të futur në Shqipëri nga Kolumbia. Bëhet e ditur se, agjentët amerikanë kanë ardhur për të verifikuar procedurat që janë ndjekur nga policia shqiptare për operacionin e bllokimit të kokainës. Agjentëtn e DEA-s amerikane kanë kërkuar të njihen me gjithë praktikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare në këtë aksion nga veprimet e doganave, Policisë dhe Prokurorisë.
Dyshohet se, policia ka vepruar e nxituar në operacionin për sekuestrimin e kokainës për të fshehur porositësit e drogës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me zyrtarë të lartë të qeverisë. Policia nuk duhej të kishte ndërhyrë para kohe për të bllokuar kokainën, por duhet të priste derisa ata që ishin në pritje të ngarkesës të nisnin shkarkimin e drogës. Në këtë mënyrë do të arrihej që të kapeshin porositësit e sasisë më të madhe të kokainës të ardhur nga Kolumbia, ashtu siç veprohet në këto raste nga policitë e vendeve të huaja.

Policia shqiptare arrestoi vetëm shoferin e kamionit dhe një punonjës, ndërsa bosët e kokainës nuk janë arrestuar. Opozita deklaroi se pas 613 kilogramëve të kokainës qëndrojnë zyrtarë të lartë të qeverisë. Sipas opozitës, operacioni u përshpejtua për të mos arrestuar bosët e kokainës.
Ndërkohë, dy të arrestuarit shoferi Armando Pezaku dhe Donaldo Lushaj janë lënë në burg pa afat. Avokatët e dy të arrestuarve për sasinë e 613 kilogramëve të kokainës në një konteiner në Durrës ankimojnë vendimin për masën e sigurisë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Mbrojtja kërkon lirimin e tyre me argumentin se nuk ka prova që implikojnë klientët e tyre në trafikun e narkotikëve.
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi më 2 mars që shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri Donald Lushaj do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimit. Avokatët pretendojnë se, klientët e tyre nuk kanë lidhje me lëndën narkotike. Avokati, Maks Haxhia, i cili mbronte menaxherin Donado Lushaj tha pas seancës se Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë, ndërsa për çështjen nuk kishte hetime të mëparshme.

Prokuroria letër porosi autoriteteve italiane
Prokuroria për Krimet e Rënda ka zgjeruar rrethin e hetimit, duke i dërguar një letërporosi Prokurorisë së Livornos për drogën e sekuestuar prej 613 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit. Organi i akuzës shqiptare kërkon nga autoritetet italiane të njihet me praktikën e ndjekur gjatë kontrollit në konteinerin, ku u gjet drogë, në Portin e Italisë së Jugut. Bëhet e dtiru se grupi hetimor ka krijuar dyshime mbi dokumentacionin që shoqëronte mallin, i cili ishte porositur nga administratori i kompanisë “Arbri Garden”, Arbër Çekaj.
Gjatë seancës për masën e sigurisë së dy të arrestuarve, Armando Pezaku dhe Donald Lushaj, prokurori i çështjes, Edvin Kondili pohoi se autoritetet italiane kishin sinjalizuar më herët për praninë e një konteineri me kokainë dhe se porositësi ishte, Arbër Çekaj. Ky sinjalizim kishte mbërritur në fund të muajit janar në organin e akuzës. Hetuesit kanë dyshime se dokumentacioni i paraqitur nga kompania “Arbri Garden” në doganën shqiptare dyshohet se ishte i falsifikuar për të shmangur procedurën e kontrollit të konteinerit, ku fshihej sasia prej 613 kilogramë kokainë. Ndaj Prokuroria ka dërguar letërporosinë, për të sqaruar nëse ishte kontrolluar në të vërtetë ose jo konteineri në Portin e Livornos dhe çfarë procedurash ishin ndjekur më tej, atje.

DEA Durres

Dyshimi më i madh i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është se, Arbër Çekaj, duhet të paguante edhe një taksë tjetër shtesë në Portin e Livornos, për ngarkim-shkarkim të mallit të tij. Ky e-mail, dyshohet se ka qenë një sinjal që 38-vjeçari, i cili është ende në arrati, duhet të largohej jashtë territorit shqiptar.
Droga ishte nisur nga Kolumbia dhe kaloi në disa porte si Itali, Maltë, para se të mbërrite në Durrës dhe të kapej nga policia. Deri tani të arrestuar janë vetëm dy persona, shoferi dhe menaxheri i kompanisë, ndërsa pronari Arbër Çekaj është në kërkim. Sipas burimeve nga hetimi, deri tani dyshohet se në këtë trafik ndërkombëtar kokaine janë të përfshirë të paktën 12 persona.

Si paralajmëroi CIA për kokainën
Kthimi i Shqipërisë në vendin kryesor të prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, prania e grupeve kriminale të strukturuara dhe lidhjet e forta me mafian italiane e ka kthyer vendin në një pikë të favorshëm për trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt tregut perëndimor.
Kapja e drogës në portin e Durrësit dhe zbulimi i magazinës së përpunimit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit janë dy shembuj të prekshëm, që tregojnë se si bandat shqiptare po përqendrohen gjithmonë e më shumë drejt trafikimit të kokainës.
Këto dyshime përforcohen më tej nga deklaratat dhe raportet e vendeve partnere. Para një jave, prokurori i antimafias De Raho, në një vizitë në Tiranë u shpreh se mafia shqiptare, përveç ndikimit në prodhimin dhe trafikimin e marijuanës është përhapur së fundmi edhe në tregun e kokainës falë lidhjeve të forta me mafian italiane.
Agjencia e Inteligjencës së SHBA-ve (CIA) në raportin për Shqipëria të publikuar në faqen zyrtare të saj shkruan se: Shqipëria është një pikë kalimi për dërgesat ndër-atlantike për trafikimin e opiateve nga Azia Jugperëndimore dhe kanabisin përmes rrugës së Ballkanit – me një shtrirje të vogël – për kokainën e ardhur nga Amerika e Jugut për tregun e Evropës Perëndimore.

Në vitin 2017, Agjencia britanike Kombëtare e Krimit në raportin për “Vlerësimin Strategjik Kombëtar për Krimet e Rënda dhe Krimin e Organizuar, 2017” shkruan se “kriminelët e Ballkanit dhe në veçanti shqiptarët po e përhapin rrjetin e tyre të ndikimit, duke krijuar lidhje direkte me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine”.
Sërish në vitin 2017, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën në raportin e saj për krimin dhe drogën shkruan se “trafikimi i kokainës përmes Shqipërisë drejt tregjeve të Evropës perëndimore dhe qendrore po rritet dukshëm në krahasim me kokainën e trafikuar direkt në portet e evropës qendrore dhe perëndimore”.
Në tetor të 2017, Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Policisë së Greqisë Kostas Panagiotopoulos, duke folur për median greke mbi gjetjet e raportit për trafikimin e drogës në Greqi, shprehet se:
Grekët kanë një rol të kufizuar në tregtimin e kokainës drejt Evropës, pavarësisht se përfshirja e shqiptarëve po rritet gjithmonë e më shumë në këtë fushë. Shqipëria është bërë vend kyç në shpërndarjen e kokainës drejt tregjeve evropiane. Gjithashtu,

Shqipëria përdoret si vend për magazinimin e drogës, si dhe ka rol edhe në trafikimin e heroinës, ndërsa grekët ende dominojnë shpërndarjen e kokainës në tregun grek.
Gazetarja amerikane e specializuar për çështjet e sigurisë në Amerikën Latine Angelika Albaladejo, në një analizë të saj për kapjen e 613 kilogramë kokainë në Shqipëri, të botuar pak ditë më parë në median Insight Crime shkruan se “klanet kriminale kolumbiane në vend që të vazhdojnë me rrugën tradicionale, kanë filluar të preferojnë trafikimin e kokainës në rrugën e trafikimit të kanabisit përmes Shqipërisë”.
Gazetarja shpjegon se, Shqipëria ka një histori të gjatë të trafikimit dhe prodhimit të marijuanës dhe tani statusi i saj i ri si vend tranzit për trafikimin e kokainës kolumbiane në tregun evropian ka shumë gjasa të forcohet. Pozicioni strategjik ndërmjet dy tregjeve joshëse si Evropa e Lindjes dhe Perëndimore, si dhe lidhjet ekzistuese me klanin mafioz italian N’Dragheta e bëjnë Shqipërinë një vend joshës për klanet e trafikimit të kokainës nga Amerika Latine.

Në 2016, policia shqiptare zbuloi rrjetin e përpunimit dhe trafikimit të kokainës. Në këtë rrjet bënin pjesë edhe dy kimista kolumbianë, anëtarë të klanit të N’Draghetës dhe me kontakte në Hollandë, Greqi dhe Belgjikë. Ato e trafikonin kokainën të fshehur në çimento dhe më pas e përpunonin në fabrikën e Xibrakës për ta trafikuar më pas në tregun evropian.
Grupet kriminale kolumbiane trafikojnë direkt në Shqipëri, në këtë mënyrë shmangin rrugën e zakonshme evropiane përmes vendeve si Spanja, ku autoritetet i luftojnë rrjetet kriminale. /Exit.al/

Exit mobile version