Në një takim informal me gazetarët kreu i SPAK, Altin Dumani i është përgjigjur interesit të gazetarëve mbi disa nga çështjet më me rëndësi të drejtësisë.
Një ndër më të diskutuarat është përfshirja apo bashkëpunimi i uniformave blu me krimin.
Kreu i SPAK tha në bisedë me gazetarët se hetimet kanë zbuluar se përdorimi i aplikacioneve “SkyECC” apo “EncroChat” është i përhapur gjerësisht në radhët e uniformave blu.
Por, sipas tij, uniformat blu nuk janë të vetmit që përdorin këto aplikacione, pasi hetimet kanë zbuluar edhe prokurorë që kanë llogari të tilla.
Por, sipas kreut të SPAK, përdorimi i këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, ndonëse vazhdimisht hetimet kanë nxjerrë në pah se uniformat blu përdorin këto aplikacione për të bashkëpunuar me krimin.
“Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë polic, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rast që tashmë është publik Xhevahir Lita”, deklaroi Dumani.
Nga ana tjetër, Ministri e Brendshme bëri me dije se unifromat blu do të plotësojnë formularë për të paktën tri aplikacione të konsideruara si të papërgjueshme dhe çdokush që i ka përdorur do duhet të tregojë edhe motivin.