“Zbor stërvitor” me rezervat e kuqezinjve

Italia, kundërshtari i ardhshëm i Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit 2018 kërkon talentë të rinj, mes atyre që janë rezerva të lojtarëve kuqezi në skuadrat ku luajnë. Giampiero Ventura riktheu modën e “zborit stërvitor”, me trajnerin e përfaqësueses së kaltër që publikoi listën me 22 futbollistë, për seleksionimet në Koverccano nga data 21 deri më 23 nëntor.
Përveç yllit të ri të Milanit, si Manuel Locatelli, i cili ka qenë pjesë e përfaqësueses për sfidat me Lihtenshtejnin dhe Gjermaninë, zbori stërvitor dominohet nga surpriza e këtij edicioni, Atalanta, që përfaqësohet me 7 futbollistë. Mes tyre është edhe portieri Marco Sportiello, që nga një premtim i madh për Kombëtaren italiane është lënë në stol nga gardiani kuqezi, Etrit Berisha.
Pjesë e seleksionimeve në mbrojtje janë dyshja e Empolit, Federico Dimarco dhe Federico Barba. Lojtarë që janë lënë në hije nga shpërthimi i Frederik Veselit. Pas periudhës së përshtatjes, shqiptari debutoi më 16 tetor në barazimin 0-0 që Empoli regjistroi në fushën e Genoa-s, ndërsa është kthyer në titullar të padiskutueshëm te ekipi toskan.
19-vjeçari Dimarco, i huazuar nga Interi luan në krahun e majtë, ndërsa është aktivizuar vetëm në 3 ndeshje në këtë sezon, ndërsa 23-vjeçari Barba, që është rival direkt i Veselit në të djathtë të mbrojtjes, por luan edhe në qendër, megjithatë nuk aktivizohet prej fundit të muajit shtator. Në repartin mbrojtës është edhe Antonio Barreca i Torinos, me 21-vjeçarin që është aktivizuar në 9 ndeshje në këtë sezon, ku në 8 raste ka qenë titullar, ndërsa kuqeziu Arlind Ajeti vazhdon të presë debutimin te “ggranadat” dhe mund të largohet në merkaton e dimrit.
Nga Napoli, tekniku Ventura ka grumbulluar Lorenzo Tonelli-n, që ende nuk ka debutuar në këtë sezon. Pozicioni i 26-vjeçarit është mbrojtës qendre, e ndonjëherë edhe në krahun e djathtë, por aty hapësirat janë të zëna nga titullari i padiskutueshëm Elseid Hysaj, me shqiptarin që cilësohet një prej elementëve më të rëndësishëm te Napoli.
Pjesë e zborit stërvitor të Italisë është edhe Gianluca Caprari, shoku i skuadrës së Ledian Memushaj-t dhe Rey Manaj-t te Pescara. Sulmuesi 23-vjeçar në pronësi të Interit është titullar i padiskutueshëm te skuadra e tij, ku në 12 ndeshje ka realizuar një gol. Përsa i takon statistikave, gjithsesi Caprari qëndron pas Manajt, me kuqeziun të aktivizuar në 9 ndeshje, për një total prej 375 minutash, duke realizuar dy gola në këtë sezon të Serisë A. Në pritje të sfidës së 24 marsit të ardhshëm në fushë, Shqipëria e ka fituar raundin e parë përballë katër herë kampionëve të botës.

Artikulli paraprakNdahen në paqe!
Artikulli tjetërAna tjetër e emigracionit amerikan