Nga Ben Andoni
Problemi më i madh (nga të fundit) i ditëve të sotme, që iu adresua Shqipërisë, lidhej me lirinë e shtypit. Më pas, ashtu si ndodh rëndom, një grup fantazmash pjesë të strukturave të organizimit të gazetarëve shpjeguan pse media nuk është e lirë. Pati pak vend për amnistinë, e cila për fat të keq, megjithëse u damkos nga media dhe vazhdimisht iu kërkua transparencë PS-së dhe “Rithemelimit”, nuk ndodhi. Gazmend Bardhi, shefi i grupit parlamentar dhe protagonisti zyrtar i “Rithemelimit”, pas sarkazmës dhe kinse betejës së përhershme në parlament tregoi se ishte bashkëpunëtori kryesor, i asaj që media e paralajmëroi: Flirtit dhe nënshtrimit ndaj maxhorancës. E habitshme ishte se edhe vetë një pjesë e zyrtarëve të Rithemelimit nuk e dinin draftin dhe në studio televizive kumtonin se është e pamundur të amnistoheshin njerëzit e korrupsionit! Ndodhi e kundërta.
Ulsi Manja, Ministri i Drejtësisë nga ana e tij siguroi se nuk kishte amnisti për korrupsionin, kurse Bardhi nga e tij, bënte shoë-n e madh publik: Kurrë ata, paçka se i do maxhoranca. Ashtu si ndodh me këto dy forca politike, pas kinse luftës, ku arrijnë madje edhe deri te molotovi, në fund do e gjejnë gjithnjë gjuhën. Pa e zgjatur, në fund, amendamenti “Bardhi” propozoi praktikisht të ndalohet ulja e dënimit për zyrtarët e lartë (nivel ministri, kryetar bashkie…., të parashikuar në pika “b”, “c” dhe “ç” të nenit 75/a), por të përfitonin nga Amnistia të gjithë zyrtarët e tjerë, të dënuar për veprat penale që gjenden në pika “a” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale). Media do e zbardhte më vonë, kur i gjithë konfigurimi i amnistisë do të dilte në shesh dhe një kontingjent i tërë të korruptuarish do jenë të lirë.
Dhe, ndërsa Manja tashmë e ka më të thjeshtë “justifikimin moral” se një grup zyrtarësh të maxhorancës janë para SPAK-ut me çështje shumë më të mëdha, shqetësimi është se rruga e Bardhit dhe e Rithemelimit është po ajo. Projeksioni i të ardhmes dhe shpresa mbeten të errëta. Janë dy forca, siç kanë bërë ndër vite, që e shqyen vendin. Ndoshta folja është e rëndë, por kupton sepse lajmet e ikjes masive të njerëzve nuk bëjnë “më përshtypje”. Por, akoma më e rëndë është braktisja e shkollës prej kësaj arsye. Në një reportazh të fundit të BIRN-it kumtohej se vetëm: “Në qarkun e Shkodrës, 19 shkolla publike janë mbyllur në 5 vitet e fundit, ndërsa dhjetëra të tjera janë kthyer në shkolla me klasa kolektive si pasojë e emigrimit – një proces që i dëmton fëmijët dhe vështirëson punën për mësuesit”. Po të shtrihej kjo statistikë për vendin rezultati do të ishte edhe më i dhimbshëm.
Ky është një nga leximet më të pakta, sepse publikut në masë jo të vogël fatkeqësisht i interesojnë më shumë bëmat e BB VIP dhe ndodhitë me “velinat”, sesa shqetësimet reale. Por edhe këtu qëndron një problem, që po e godet median përditë: marrja dhe përcjellja e temave nga jashtë Tiranës. Çka përcillet në mediat kryesore është thjesht ajo që ndodh me politikën dhe debatet shterpë, që nuk tregojnë asgjë apo më keq akoma: patetizmin për amnistinë dhe arrestimet në pritje të SPAK-ut në vend të shqetësimeve reale. Media tek ne, ashtu si vite më parë, armikun më të madh kanë informalitetin, fondet e munguara për rritjen e cilësisë dhe zhbërjen e interesit të publikut, ndaj lajmet për rrethet janë gjithnjë e më të pakta dhe esenciale. Ato reportazhe, që vinë duke e sheqerosur Shqipërinë dhe duke u justifikuar se po japin bukurinë harrojnë se reportazhi e ngjyen penën në dhimbje edhe kur jep “bukuritë” e pamata dhe “trimëritë e vjetërsinë” tonë pakufi.
Shqipëria po rrudhet aq shumë saqë edhe rezultatet e Census-it tashmë nuk “i interesojnë” shumë kujt. Veço ankesën e bizneseve për fuqi punëtore, konsumit dhe mbi të gjitha anketimeve, ku shumë fasha duan të largohen, që të ndalosh së marri me median dhe me kinse ankimtarët për lirinë e saj. Publiku edhe në diktaturë e gjen informacionin, por Shqipëria nuk po gjen më njerëzit. Këtë kujton në këtë weekend, kur Bardhi & Co bëjnë moralistin dhe të gjithë qahen për lirinë e shtypit. Ne po e braktisin të gjithë pak e nga pak Shqipërinë.