Zbulohen 768 kg drogë në një tunel në Piskovë të Përmetit

768 kg kanabis u zbulua dje në një tunel në fshatin Piskovë. Mësohet se droga ishte e ndarë në 102 pako dhe thasë të përmasave të ndryshme. Operacioni është kryer nga Policia e Përmetit pas kërkesës së Prokurorisë. Policia bëri të ditur se, gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona që mund të kenë lidhje me trafikun e drogës, por nuk jepen detaje, nëse janë poseduesit e saj apo janë banorë të zonës.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore nga Seksioni i Hetimit të Narkotikëve në D.V.P Gjirokastër se në një tunel në fshatin Piskovë, Përmet kishte lëndë narkotike, menjëherë është organizuar e vijon operacioni “Piskova”, thuhet në njoftimin e policisë.
Si rezultat i operacionit nga kontrolli i ushtruar në tunel, shërbimet e policisë kanë gjetur 102 pako dhe thasë të përmasave të ndryshme, brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës, ku pas peshimit rezultoi se pesha totale është 768 kilogramë. Në vijim të operacionit janë shoqëruar disa persona në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër në lidhje me këtë ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet për dokumentimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Ende nuk dihet se ku do të transportohej sasia e drogës së fshehur në tunel.
Ndërkohë, Policia e Kosturit në Greqi ka asgjësuar dje një sasi të madhe droge, me origjinë nga Shqipëria. Bëhet fjalë për sasira drogash që janë sekuestruar gjatë katër muajve të fundit, në operacione ku kanë arrestuar trafikantë shqiptarë dhe grekë, raportojnë sot mediat helene. 459 kg kanabis, 16 kg heroinë dhe më shumë se një kilogram kokainë, janë djegur në furrnaltat e një termocentrali në qytetin Ptolemaida. Djegia u bë në prani të një komisioni që kryesohej nga zëvendësprokurori i Kosturit.
Mbillet kanabis në Vlorë, Policia: Ka mbirë vetë!
Policia e Vlorës ka asgjësuar 143 bimë narkotike të llojit kanabis sativa në dy fshatra pranë bregdetit të Adriatikut. Sipas të dhënave zyrtare gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e Novoselës, shërbimet e policisë kanë konstatuar 95 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, të mbjella në vendin e quajtur “Vërri e Poros”, fshati Poro (pronë publike).
Po kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Mërtiraj, pranë vendit të quajtur “Përroi i Kaminave”, u gjet një parcelë me 48 bimë narkotike të llojit kanabis sativa, të cilat dyshohet se kanë mbirë vetë përgjatë shtratit të përroit.
Policia bëri asgjësimin e tyre me shkulje dhe djegie. Vazhdojnë hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve.

Artikulli paraprakVendimi për gjyqtaren Andrea më 12 qershor
Artikulli tjetërTragjedi, gruaja shkon për të lindur, vdes në spital