Një ditë pas sekuestrimit të 1 ton kokaine në Spanjë, policia spanjolle ka zbuluar emrat e dy bosëve shqiptarë të arrestuar gjatë superoperacionit. Ata janë Julian Deblini dhe Dritan Gradica. Sipas mediave spanjolle, dy shqiptarët drejtonin një grup të strukturuar kriminal. Bashkë me ta u arrestuan edhe dy spanjollë Ruben Paz Ciprian Muñoz dhe Rubenit del Castillo de la Torre.
Aksioni i koordinuar nga DEA amerikane u finalizua një ditë më parë në Madrid. Bashkë me shqiptarët dhe spanjollët u arrestua dhe një kolumbian. Përveç drogës, u sekuestruan edhe 1 milionë e 550 mijë euro kesh.
Ka dyshime të forta se kokaina është blerë te Klan De Golfo, e njëjta organizatë mafioze që dërgoi 613 kg kokainë në Durrës, në fundshkurt të këtij viti.
Droga e sekuestruar u gjet e grumbulluar në një magazinë në Madrit. “Në momentin e ndërhyrjes, policia gjeti 790 pako me peshë 1 000 kg kokainë si dhe 1 550 000 euro cash që mbaheshin në një valixhe dhe që do përdorej për të paguar transportin e drogës”.
Dy shqiptarët e arrestuar në hollin e një hoteli, mendohet se janë edhe bosët e kësaj linje që u zbulua në kryeqytetin spanjoll. Në pranga ka rënë dhe njeriu i tyre i besuar si dhe 2 shtetasit spanjollë me precedentë të mëparshëm kriminalë. Shtetasit spanjollë do të bënin transportimin e drogës.
Valixhet e zeza
Kokaina vinte me fluturime çarteri nga Kolumbia dhe ishte fshehur në 790 valixhe të zeza. Mësohet se grupi kriminal përdorte një shoqëri transporti për të maskuar trafikun e kokainës.
Droga ishte markuar me logon ‘CR7’, një shkurtim që përdoret nga lojtari i famshëm i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo. Grupit iu sekuestruan edhe 5 makina luksoze, tri targa falco policie si dhe disa armë.
Personi i peste i arrestuar eshte lideri i organizates qe siguronte kokainen nga Kolumbia. Ky i fundit ishte larguar në momentin kur ne Spanjë u kap ngarkesa e madhe me kokainë
Hetimet
Hetimet nisën në nëntor të vitit të kaluar ndërsa operacioni u ndërmor nga Drejtoria e Seksionit kundër Narkotikëve të Kolumbisë, DEA e SHBA në koordimin me Europol. Mediat spanjolle kanë lëshuar alarmin se porti i Algeciras, ku u sekuestruan afro 9 ton kokainë javën e kaluar, është shndërruar në një Kolumbi të vogël dhe droga e Klan de Golfo blihet nga shqiptarët, turqit, marokenët, rusët, italianët, spanjollët, francezët dhe britanikët.