Zbulohen emrat e dy trafikantëve që ka informuar kreu i OFL, në lojë hyn dhe një femër…

Janë zbuluar emrat e dy trafikantëve që dyshohet se ka informuar ish-drejtuesi i OFL-së Artan Shkembi, akt për të cilin dhe u pezullua nga detyra. Mësohet se ka qenë pala gjermane, ajo që ka kërkuar hetimin dhe verifikimin pasuror të shtetasve Aleksandër Prroni dhe Klaudio Vukaj, që të dy me banim në Gjermani, të cilëve dyshohet se Shkëmbi u ka çuar mesazh të koduar.

Nga hetimet e përbashkëta gjermano shqiptare u zbulua komunikimi mes shtetasve shqiptarë në Gjermani nëpërmjet programit të paligjshëm Encro Chat dhe në telefonin e tyre gjendet fotografia e dërguar nga Shqipëria me të dhëna nga programi hetimor Deep See, në të cilin kanë akses vetëm organet hetimore të certifikuara.

Bëhet me dije se në mes të muajit shtator menjëherë pas këtij zbulimi, oficeri ndërlidhës gjerman i bindur se tradhtari ishte efektiv i policisë shqiptare kërkon hetime urgjente. Sipas dosjes menjëherë është këqyrur sistemi Deep See dhe Tims për të kuptuar se kush kishte kryer kërkime për dy emrat e Prronit dhe Vukaj.

Në të dy rastet personi që kishte kërkuar rezulton zyrtari Shkëmbi, të cilit për vite me radhë i janë besuar aksione ndërkombëtare të forta. Përveç zyrtarit rezultojnë se kanë kërkuar në të njëjtën periudhë edhe dy oficerë të tjerë një femër dhe një agjent, të cilët njëkohësisht janë marrë në pyetje. Shkëmbi pretendon se ka kërkuar për efekt detyre pas kërkesës dhe se të dhënat i ka përcjellë për procedim, dhe të njëjtën gjë këmbëngulin edhe dy vartësit e tij.

Por, SPAK dyshon se të dhënat u përcollën përmes një aparati Iphone, dhe e vetmja koincidencë që ka shtuar dyshimet mbi Shkëmbin është pikërisht telefoni Iphone që ai e ka vënë në dispozicion të hetuesve.

Zyrtari i OFL, pretendent i mëparshëm për të marrë drejtimin e BKH si dhe oficer dhe i besuar i gjermanëve për shtatë vite në këtë shtet, u kthye në Shqipëri dhjetë vjet më parë duke koordinuar operacione antidrogë me Europol, por edhe antidrogën gjermane.

Exit mobile version