Disa muaj më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një fushatë agresive mediatike për mbjelljen e luleve dhe fidanëve në kryeqytet.
Në kronikat televizive, ai shfaqej me lopatë në dorë, duke propaganduar shtimin e gjelbërimit në Tiranë, në një kohë kur me firmën e tij ishin shumëfishuar lejet e ndërtimit për shumëkatësh në qendër të qytetit.
Në fushatën “e fidanëve dhe luleve”, as Erion Veliaj dhe as mediat që përdornin kasetat e tij të gatshme, nuk treguan se ku ishin blerë fidanët e lulet dhe, mbi të gjitha, sa ishte kostoja e tyre.
“Boldnews.al” ka kryer një vëzhgim mbi tenderat e zhvilluar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, një strukturë në varësinë e Erion Veliajt, e cila, zyrtarisht, ishte përgjegjëse për fushatën “një fidan, një lule”.
Në periudhën 2016-2019, nga tenderat e zhvilluar nga kjo Agjenci, rezulton se mbi 500 mijë euro i janë dhënë shoqërisë “Kajmaku” shpk, me pronar Agim Kajmakun, kryetarin e Bashkisë së Vorës, i dalë nga votimet mono-partiake të 30 Qershorit.
Në bazë të të dhënave të transaksioneve financiare shtetërore, të publikuara nga portali informativ “spendingdata.al”, rezulton se “Kajmaku” shpk ka përfituar saktësisht 57 milionë lekë të reja nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, në periudhën 2016-2019.
Gjithashtu, një seri institucionesh të tjera në varësi të Erion Veliajt, përfshirë Ndërmarrjet e Gjelbërimit janë klientë të rregullt të “Kajmakut”. Në total, vlera e tenderave të fituar nga Agim Kajmaku prej Bashkisë së Tiranës llogaritet në rreth 800 mijë euro.
Tenderat multimilonësh të luleve
Por, Veliaj dhe strukturat e tij të varësisë nuk janë të vetmet që kanë kontribuuar në shëndoshjen e portofolit tregtar të kompanisë së luleve të kryebashkiakut të dalë nga procesi i dyshimtë i votimeve të kësaj vere.
Një numër i konsiderueshëm institucionesh shtetërore, qëndrore ose vartëse të tyre, kanë shpallur “Kajmakun” fitues të tenderave të luleve.
Në total, në periudhën 2012-2019, vlera e fondeve publike të fituara nga “Kajmaku” shpk llogaritet në rreth 2.5 milionë euro (280 milionë lekë të reja).
“Kajmaku” shpk është një shoqëri e krijuar në vitin 2008 nga Agim Kajmaku dhe bashkëshortja e tij, Merita.
Portali “spendingdata.al”, i profilizuar në publikimin e transaksioneve të Thesarit, përmban të dhënat për periudhën 2012 e në vijim.
Në bazë të këtyre të dhënave, rezulton se “Kajmaku” shpk, në periudhën 2012-2013, ka fituar rreth tendera në rreth 500 mijë euro. Gjatë vitit 2012, kohë kur Edi Rama dhe Partia e tij ishin në opozitë në pushtetin qëndror, “Kajmaku” shpk rezulton fitues në tenderat e zhvilluar nga Bashkia Durrës dhe ajo Shijak, të drejtuar në atë kohë nga socialistët Vangjush Dako dhe Indri Buka.
Në vitin 2014, kur Partia Socialiste kishte fituar pushtetin qëndror, “Kajmaku” shpk shpallet fitues në disa tendera të institucioneve qendrore, në vlerë totale mbi 30 milionë lekë të reja.
Periudha e mëvonshme, 2015-2019, ka qenë më e begatë për “Kajmaku” shpk, për më tepër që vitin 2015, socialisti Erion Veliaj fitoi Bashkinë e Tiranës.
Gjatë kësaj periudhe (2015-2019), “Kajmaku” shpk është shpallur fitues në tendera publikë, me një vlerë prej rreth 202 milionë lekë të reja (rreth 2 milionë euro).
Në total, për periudhën 2012-2019, kompania e Agim Kajmakut ka përfituar rreth 2.5 milionë euro tendera, të zhvilluara nga institucionet e drejtuar nga Partia Socialiste.
Agim Kajmaku gjendet aktualisht nën akuzat publike të opozitës për të shkuarën e tij kriminale. Sipas disa dokumentave të publikuara së fundmi nga Partia Demokratike, Agim Kajmaku (Jorgo Toto) rezulton i arrestuar dhe në gjykim në Greqi, pasi, në vitin 2013, është kapur me një shumë parash fallso.
Sipas të dhënave zyrtare të autoriteve greke, në vitin 2003 ai ka përdorur një shumë të konsiderueshme parash fallso, me të cilat ka blerë fidanë.
Agim Kajmaku, fillimisht, është arrestuar, më pas është hetuar në gjendje të lirë. Në një moment të dytë, me kërkesë të Prokurorisë së Janinës, gjykata caktoi ndaj tij masën e “arrestit”. Por, policia greke nuk arriti ta arrestonte Kajmakun dhe ta dërgonte para gjykatës, pasi ai ishte larguar në drejtim të Shqipërisë.
Gjithnjë sipas dokumentave të publikuar nga PD, Agim Kajmaku e ka ende të hapur procesin në Greqi, pasi autoritetet greke e kanë pezulluar gjykimin deri sa ai të arrestohet dhe të paraqitet para trupës gjyqësore.
Agim Kajmaku i ka mohuar këto akuza të Partisë Demokratike me argumenta politikë, pa dhënë asnjë provë zyrtare që të rrëzojnë dokumentat e publikuara nga opozita.
/Boldnews.al