Zbulohen lidhjet e ish-drejtorit të Policisë me Habilajt dhe Orest Sotën

Fakte të reja publikohen nga dosja voluminoze e çështjes Tahiri-Habilaj. Prokuroria ka zbuluar lidhjet e ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela me Moisi Habilaj dhe Orest Sotën. Sipas burimeve nga Prokuroria, numri një i Policisë së Vlorës ka komunikuar vazhdimisht me Habilajt edhe me Orest Sotën në telefon. Organi i akuzës ka arritur në përfundimin se Jaeld Çela në më shumë se një rast ishte kujdesur personalisht për disa nga parcelat me bimë narkotike të mos prekeshin nga aksionet e policisë.
Këto prova nuk janë siguruar nga përgjime ambientale mes të dyshuarve, por nga bisedat telefonike ndërmjet anëtarëve të bandës së Habilajve dhe ish-drejtorit të Policisë, Çela.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se edhe para aksionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestruan rreth 4 ton kanabis, grupi i Habiljave kishte dërguar drejt brigjeve italiane, një sasi dy herë më të madhe droge, edhe pse ata ishin nën survejim të vazhdueshëm. Ky fakt u zbulua gjatë një bisede me sms në rrjetin e brendshëm telefonik “BBM”, ku Florian Habilaj njoftonte se aksioni shkoi me sukses. Vetëm 4 ditë pas këtij aksioni u prangosën në Katania të Italisë, kreu i grupit Moisi Habilaj së bashku me 10 shtetas të tjerë.
Gjithashtu, nga të njëjtat komunikime telefonike si edhe ato në rrjetet sociale, ka rezultuar se në mënyrë intensive, ka pasur biseda të shumta edhe ndërmjet ish-drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, i shpalluar në kërkim ndërkombëtar Jaeld Çela dhe biznesmenit Orest Sota.
Ky i fundit u arrestua në fillim të nëntorit, pasi në automjetin e tij u sekuestruan 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Deri më tani, janë nën hetim për këtë çështje kriminale rreth 40 persona, ku të implikuar janë politikanë, drejtor policie dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë.

Exit mobile version