Zbulohen lidhjet e para me krimin të Arta Markut

Kryeprokurorja e vendit Arta Marku ka firmosur sot emërimin e zotit Ardian Nezha në Tiranë, në një sektor në prokurorinë e Tiranës, një javë pasi Nezha dha dorëheqjen e papritur si drejtues i prokurorisë së Elbasanit.
Por ndërsa Nezha ka marrë sot emërimin në Tiranë, një heshtje e pazakontë ka shoqëruar arsyet e dorëheqjes së tij nga Elbasani.
Hashtag.al ka mësuar prapaskenat e lëvizjeve që çuan në dorëheqjen e Nezhës dhe presionin e ushtruar mbi Arta Markun që ajo ta emëronte në Tiranë.
Zoti Nezha ka qenë dikur prokuror i spikatur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por një urdhër i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla e transferoi atë në Kukës.
Në media kjo lëvizje u komentua si një ‘internim’ që Llalla po u bënte prokurorëve që nuk i kishte me sy të mirë, por ndoshta rasti i Nezhës bën përjashtim pasi rezulton se në fakt Llalla e ka mbrojtur duke e transferuar.
Burime të mirë-informuara i thanë Hashtag.al se Ardian Nezha u transferua në Pukë, pasi ai u zbulua në komunikime, interceptime dhe lidhje me dy shtetas nga Elbasani, vëllezërit A.Cerraga dhe G.Cerraga, të cilët ishin nën hetim për vepra të rënda penale nga prokuroria.
Interceptimet janë kryer nga shërbimi informativ shqiptar dhe të dhënat i kaluan asokohe kryeprokurorit Llalla, ky i fundit e transferoi në Pukë Nezhën më pas.

Me ardhjen e Arta Markut në krye të prokurorisë, Nezha kaloi drejtues i prokurorisë së Elbasanit.
“Ky emërim ka shkaktuar reagime që në fillim. Sepse Nezha ishte interceptuar nga SHISH dhe ishte konstatuar në lidhje me dy vëllezërit e hetuar elbasanas, ermërimi i Nezhës në Elbasan ishte një veprim me dashje për kalimin e prokurorisë në kontrollin e klanit Sejdini në Elbasan”, – i tha i njëjti burim Hashtag.al.
Disa agjenci ligjzbatuese të huaja, kanë përcjellë shqetësimin për këtë emërim te kryeprokurorja Marku, italianët duket se kanë qenë të shqetësuar në veçanti.
Kjo ka bërë që Nezha të jepte dorëheqjen si drejtues i prokurorisë së Elbasanit, ndërsa sot Arta Marku e ka emëruar atë në Tiranë.
Bateritë mediatike të rilindjes janë përpjekur që ta prezantojnë zotin Nezha si një prokuror të paepur në luftën kundër krimit e të persekutuar nga klani Llalla, por duket se historitë nuk janë dhe aq bardh e zi.
Zoti Nezha është lobuar fort nga deputeti Taulant Balla dhe kryebashkiaku Qazim Sejdini për të marrë postin e kryeprokurorit të Elbasanit.
Zoti Nezha që në ditët e para të punës nisi hetimin ndaj ish drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve Dashamir Xhika, ky i fundit mban dhe postin e kreut të LSI-së së Elbasanit.
Ndonëse e nisi me zell dhe vrull të spikatur punën në Elbasan, zoti Nezha dha papritur dorëheqjen javën e kaluar, ndërsa rasti i tij, është ndoshta shembulli më domethënës se ku i pikon ‘çatia’ Arta Markut, një kryeprokurore jo thjesht nën ndikimin e rilindjes, por ndoshta nën kontrollin e plotë të klaneve më të kriminalizuara të rilindjes.
/Hashtag.al/

Exit mobile version