Një grabitje e mirëmenduar ka qenë ajo e fundjavës së kaluar pranë Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Pas grabitjes së një bankomati pranë Komisariatit Nr.4 të Policisë, autorët kanë përdorur të paktën 3 makina për të humbur gjurmët. Edhe pse ky banomat ishte pranë Komisariatit Nr.4 të Policisë, grabitësit arritën të largohen dhe madje të ndërronin 3 makina të vjedhura. Pasi kanë marrë shumën, autorët lëvizën me një mjet “Nissan” deri në Vorë, më pas braktisin atë dhe lëvizin me një “Benz”. Pas disa kilometrash braktisin dhe “Benz”-in dhe lëvizin me një makinë tjetër. Nga hetimet ka rezultuar se 4 grabitësit kanë qendruar në bankomat për 30 minuta dhe kanë arritur ta hapin kasafortën me bombol oksigjeni. Policia nuk ka arritur ende të identifikojë dhe arrestojë grabitësit. Gjithashtu nuk bëhet e ditur as shuma e parave të grabitura.
Mekanizmi i përdorur nga autorët ka bërë që policia ngrejë dyshime se autorët janë pjesë e një grupi të mirëfilltë kriminal, të specializuar në vjedhjen me thyerje të bankave dhe posaçërisht të bankomateve. Autorët kanë shkallmuar derën e ambientit ku ndodhej bankomati dhe më pas kanë hyrë brenda. Edhe pse alarmi ka njoftuar punonjësit e kompanisë që ruan objektin, këta të fundit nuk konstatuan lëvizje. Kjo ka bërë që autorët të punojnë qetësisht me mjete prerëse dhe bombola me oksigjen për të hapur kasafortën prej gize ku ndodheshin paratë.
Kur kasaforta është hapur, alarmi ka rënë sërish dhe kompania private e sigurisë mbërriti në vendin e ngjarjes, por autorët ishin larguar në drejtim të Vorës. Patrullat e policisë u vunë në ndjekje të një fuoristrade “Nissan”, që rezultonte e vjedhur në muajin tetor.
Në Vorë grabitësit, braktisën mjetin ku i priste një tjetër automjet tip “Benz”, me ngjyrë të zezë, e vjedhur në një garazhd te mbikalimi Kamzës. Me këtë mjet, autorët kanë udhëtuar drejt Fushë-Krujës ku e kanë braktisur për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Dyshimet e hetuesve janë se grabitësit i kanë kryer edhe dy grabitje të tilla të ngjashme një prej të cilave në qytetin e Beratit.