Liverpooli e ka refuzuar një ofertë për të qëndruar në një hotel luksoz me pesë yje në Doha të Katarit, pasi e zbuloi se në atë zonë kishte pasur një numër incidentesh lidhur me abuzimin e të drejtave të njeriut.
Reds-at e Jurgen Kloppit do të udhëtojnë në Lindje të Mesme në dhjetor për të garuar në Kupën e Botës për Klube, ku e siguruan një vend përmes triumfit në Ligën e Kampionëve në qershor.
Skuadra kishte marrë ofertë për të qëndruar në hotelin luksoz Marsa Malaz Kempinski në ishullin artificial, Pearl-Qatar. Mirëpo, Liverpooli e refuzoi këtë ofertë kur mori vesh për të kaluarën e rezortit, sipas një lajmi të The Athletic.
Në tetor të vitit 2018, një hulumtim i The Guardian kishte zbuluar se punëtorë emigrantë ishin duke u paguar nën rrogën minimale dhe hoteli nuk ua plotësonte kushtet e nevojshme për të punuar në atë vend.
Hulumtimi gjithashtu zbuloi se rojet e sigurimit në atë vend detyroheshin të punojnë në ndërrime 12-orëshe në temperatura të larta deri në 45 gradë celsius, përderisa paguheshin vetëm tetë funte në ditë.
The Athletic gjithashtu ka raportuar se Liverpooli i kishte informuar FIFA-n dhe autoritet përgjegjëse në Katar për vendimin e vet dhe se e kishte gjetur një hotel tjetër, që s’ngjallte aq shumë shqetësime.
The Athletic raporton se FIFA dhe Katari kanë qenë përkrahës dhe të përgjegjshëm ndaj secilës kërkesë së Liverpoolit deri më tani, duke e siguruar skuadrën e Jurgen Kloppit se do të bëheshin organizime shtesë për ardhjen e tyre në Lindjen e Mesme.
Vendimi i Liverpoolit i ka rritur kritikat e ashpra në drejtim të Katarit, për shkak të akuzave për abuzim me të drejtat e njeriut, edhe në përgatitjet për Kupën e Botës 2022.
Skuadra e Klopp do të luajë për herë të parë në kuadër të Kupës së Botës për Klube më 28 dhjetor në stadiumin Education City, ndërsa finalja do të zhvillohet tre ditë më vonë, më 21 dhjetor.