Zbulohet fatura e dorëzuar në SPAK! Kryemadhi transfertë 287 mijë € nga Qipro në San Marino

Në procedimin e SPAK, është bashkuar edhe padia e avokatit Idajet Beqiri për shërbimet mjekësore dhe ndërhyrjet estetike të çiftit të politikës gjatë viteve 2013-2019.

SPAK: “Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë Euro. Nga këto shpenzime, 86 mijë Euro janë paguar në cash”.

SPAK dyshon se familja Meta ka kryer transaksione nga banka e Qipros. Një vit më parë, Top Channel publikoi disa dokumente që bënin fjalë për transferta parash nga dhe përmes personazheve të dyshimtë me lidhje me Moskën. Mes dokumenteve të depozituara në SPAK në kuadër të kësaj padie është edhe kjo faturë e siguruar ekskluzivisht nga Inside Story. Dokumentin po e shfaqim të censuruar për të mos cenuar hetimin.

Aty bën fjalë për një transfertë nga banka e Qipros për klinikën “Domus Medica” në San Marino. Urdhërues i transfertës së kryer në Qershor 2018 prej 287 mijë euro është klienti Monika Kryemadhi. Nuk dihet nëse transaksioni është faktuar, por e sigurt është ky dokument është pjesë e dosjes.

“U administruan disa letërporosi me interes për hetimin të marrë nga USA, Qipro, San Marino dhe Italia dhe pasi janë kalkuluar edhe shpenzimet prokurorët kanë konkluduar se duhet ti drejtohen gjykatës me masa sigurimi personal. Në qershor është vendosur që çështjet të bashkohen”, u shpreh Anila Hoxha, gazetare.

Në njoftimin publik të SPAK, veçohet mes të tjerash falenderimi ndaj institucioneve në SHBA, Austri, Itali, San Marino dhe Qipro për ndihmën e dhënë. Pra, vendet nga janë kryer transaksione për episodet e sipërpërmendura të dyshuara korruptive.

“Ka disa vepra penale që parashkruhen në kohë, mosdeklarimi i pasurisë është një vepër penale që parashkruhet brenda 5 viteve. Nga kjo pikëpamje janë shtuar 2-3 vepra të tjera penale që janë bashkuar me ato të zonjës Kryemadhi, gjatë këtyre 2 viteve të fundit që ai nuk është më në presidencë”, u shpreh Artan Manushaqe, avokat.

“Gjykata ka thënë se shpall masën e sigurisë arrest me burg për Ilir Metën referuar kushteve, rrethanave shoqërore por edhe rëndësisë së veprave për të cilat Meta dyshohet. Ndryshon puna për zonjën Kryemadhi pasi gjykata thotë se gjatë hetimit është provuar se zonja Kryemadhi është nën trajtim mjekësor ndaj është vendosur detyrim paraqitje çdo të hënë”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.

Artikulli paraprakKatërfishohen ishemitë e trurit, mjeku: 10 pacientë në ditë shtrohen nga hemoragjia
Artikulli tjetër“Shqipëria, më e korruptuara në Europë”/ World Justice Project publikon indeksin e sundimit të ligjit: Ja si renditet vendi ynë