Cristiano Ronaldo, ylli i Real Madrid, kërkon të jetë futbollisti më i paguar në planet. Pavarësisht se ka fituar Topin e Artë për dy vite me radhë, 33-vjeçari është vetëm lojtari i tretë më i paguar në botë. Sulmuesi portugez fiton më pak se Neymar dhe Messi, por synon ta ndryshojë këtë gjë kur të nënshkruajë kontratën e re. Sipas “Mundo Deportivo”, ai ka kërkuar të fitojë 1 milion euro më shumë se ylli i Barcelona-s dhe rivali i tij i përjetshëm, Leo Messi. CR7 ka kërkuar përfshirjen e disa bonuseve në kontratën e re, që të pasqyrojnë trofetë individualë dhe golat e shënuar. Ronaldo ka qenë në formë të shkëlqyer në javët e fundit pas një fillimi të ngadaltë në këtë sezon. Ai ka shënuar 21 gola në 11 ndeshjet e fundit duke ndihmuar Real Madrid të arrijë në çerekfinalet e Champions League. Kjo paraqitje e tij, gjithashtu, ka ndihmuar Real Madrid të sigurojë pozicionimin mes katër vendeve të para në kampionat.