Sipas njoftimit të Policisë, ky aksion erdhi pas një hetimi dhjetëmujor të një laboratori në rrugën “Hyzri Talla” në Prishtinë.
“Dyshohet që ky ‘laborator’ për përpunimin e substancave narkotike të llojit heroinë dhe kokainë është përdorur nga të dyshuarit për një periudhë kohore, ku pas përpunimit të substancave, të njëjtat i paketojnë në doza të vogla për shitje në rajone të ndryshme të vendit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për këtë aksion reagoi edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se ky është laboratori i 19-të i tillë i shkatërruar në tre vjetët e fundit, periudhë gjatë të cilës u tha se janë sekuestruar mbi 2.500 kilogramë të llojeve të ndryshme të drogave.
“Kjo betejë do të vazhdojë dhe askush nuk do të jetë i paprekshëm e i fuqishëm para ligjit. Ky fenomen që rrezikon jetën e fëmijëve e rinisë sonë dhe që shkatërron harmoninë në familjet e vendit tonë, do të goditet në vazhdimësi dhe pa mëshirë nga ana jonë”, shkroi Sveçla në Facebook.