Policia italiane në provincën e Sardenjës ka ekzekutuar gjatë orëve të fundit operacionin “Salento”, i cili ka çuar në zbulimin e një trafiku të madh droge që transportohej nga Shqipëria në Salento e më pas drejt ishullit të Sardenjës. Policia ka arrestuar 7 persona, të gjithë shtetas italianë, 2 prej të cilëve në arrest me burg e të tjerët në arrest shtëpiak.
Hetimet e operacionit Salento kanë nisur më korrik të vitit 2013 e kanë vijuar deri sot, duke bërë të mundur sekuestrimin e sasive të mëdha kokaine e marijuanë të ardhur nga Shqipëria në Salento të Italisë, nga ku merrej në dorëzim nga kjo bandë që e transportonte më pas me anë të portit të Arbattax në Sardenja.
Droga e ardhur nga Shqipëria trafikohej në qytezën e Ogliadstra, Kaljari, Sassari e në gjithë Sardenjën. Hetimet e Policisë italiane kanë vërtetuar gjithashtu se pas sekuestrimit të një sasie të madhe droge nga autoritetet italiane kjo bandë nga nevoje për para ka grabitur me armë një dyqan bizhuterish në Komunëm e Tortoli.
Ndërkohë, një shqiptar është arrestuar në Chieti, Itali, nën akzuën e shpërndarjes së sasive të mëdha të kokainës dhe marijuanës, raportojnë sot mediat italiane. Shqiptari me iniciale B.A. mbahej nën vëzhgim prej kohësh nga policia, pasi konsiderohej furnizues i rregullt i disa shpërndarësve të drogës në Pescara dhe Chieti.
Ai është kapur nga policia me një sasi të vogël droge dhe më pas ka deklaruar se kjo ishte e gjithë sasia që kishte. Por, ai u shoqërua në pyllin aty pranë, ku kishte fshehur edhe pjesën tjetër. Aty u gjetën 250 gr marijuanë dhe 350 gr kokainë, si dhe materiale të nevojshme për paketimin e drogës si dhe një peshore elektronike. Nëse hidhej në treg, droga kapte vlerën e më shumë se 30.000 euro, raportojnë mediat italiane.