Gjermania duket gati për të përballuar “Fazën 2” edhe në nivel futbollistik. “Der Spiegel” zbuloi protokollin për rinisjen e kampionatit, duke iu përgjigjur në veçanti një dyshimi kyç, mbi të cilin diskutohet shumë në të gjitha vendet europiane: çfarë do të ndodhte në rast se një lojtar rezulton pozitiv ndaj Coronavirus? Përgjigja është: do të izolohet futbollisti në fjalë dhe do të vazhdohet të luhet, me masat e duhura parandaluese për të gjithë. Është kjo ajo që bëjnë të ditur zëdhënësit e Bundesligës. Nëse lojtari nuk paraqet simptoma, do të bëjë dy javë karantinë, në të kundërt, do t’i duhet të presë edhe të paktën disa ditë që nga zhdukja e simptomave në mënyrë që të mund të rikthehet në grup.
Në Gjermani nuk ka ende një datë zyrtare për rinisjen, por objektivi është për t’u rikthyer në fushë maksimumi në fundjavën e 23 majit. Stërvitjet, me të gjitha masat parandaluese, kanë rinisur prej kohësh. Çështja e testeve, të cilat do t’iu nënshtrohen lojtarët dhe stafi, natyrisht mbetet në plan të parë edhe në Gjermani, por ideja se kështu lojtarët do të dukeshin si të privilegjuar në krahasim me pjesën tjetër të popullatës nuk i shqetëson aq shumë drejtuesit e futbollit gjerman.
“Duhet të kujdesemi për industrinë tonë, në të cilën punojnë 60 mijë persona në të gjithë vendin”, bëjnë të ditur nga Liga. Veç të tjerash, përllogaritet se për të mbyllur sezonin do të duhen rreth 20 000 tamponë, por deri më tani në Gjermani janë përdorur mbi 2 milionë, më shumë se në çdo vend tjetër europian, dhe shpenzimi i një numri të tillë për futbollistët nuk duket se përbën një problem.
Protokolli, mjaft i detajuar, parashikon edhe shumë masa të tjera, mes të cilave shishe uji të personalizuara, doreza të detyrueshme për stërvitjet në palestër, dhe një numër maksimal personash që mund të hyjnë në stadium. Publiku natyrisht do të qëndrojë jashtë dhe gjithsej do të jenë rreth 300 persona që do të kenë akses hyrjeje në fushë, tribuna dhe rrethinat e jashtme. Në fushë dhe pranë saj, mes lojtarëve, stafeve, mjekëve dhe drejtuesve, mund të jenë maksimumi 98 persona. /SS/