Zbulohet raporti italo-gjerman që fshehu Tahiri për kanabisin

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mohoi pak ditë më parë ekzistencën e një raporti sekret italo – gjerman që fliste për 363 plantacione me kanabis në të gjithë Shqipërinë. Edhe kryeministri Rama e mohoi ashtu si ministri i tij kur u pyet në Bruksel në konferencën për shtyp me zonjën Mogherini dhe zotin Hahn.
Por ekzistenca e 363 plantacioneve me kanabis është reale, e vërtetë dhe e nxjerrë nga vetë strukturat e policisë, që kanë përpiluar një raport sekret dhe ia kanë vënë në tavolinë ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. 360gradë.al ka arritur përmes burimeve të saj të gjejë pjesë të rëndësishme të raportit, i cili është përpiluar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHBÇA) dhe që vë në dukje problemin që ka vendi ynë në prodhimin e kanabisit.
“Sipas këtij raporti janë 363 plantacione kanabisi në të gjithë vendin, nga Veriu në Jug. Po ashtu, në raport theksohet se në zonën e Shkodrës zbulueshmëria është e ulët dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Gjithashtu theksohet se, Shqipëria është shndërruar në një autostradë të trafikimit të drogës në Itali dhe vende të tjera të BE-së.
Në raport më tej sqarohet situata në zona të veçanta. Sipas këtij raporti mësohet se në Fier, në të gjitha zonat është prodhuar kanabis dhe këtë vit pritet të ketë rritje të sasisë së prodhimit. Sipas raportit, në Lushnjë kultivimi i kanabisit po bëhet me sera… Në Korçë, rezulton të ketë prodhim në zonën e Dardhës, të njohur si zonë turistike, si edhe në disa fshatra të tjerë. Prodhim të kësaj lënde narkotike ka dhe në Tropojë, Kukës, por dhe në kryeqytet. Sipas këtij raporti zonat e prekura nga prodhimi i kanabisit në Tiranë janë, Dajti, Tapizë, Lundër…etj. Në Tropojë vihet re, lexohet në raport se ka nisur proçesi rekrutimit të punëtorëve për përgatitjen e terrenit”.
Ky raport nxjerr bllof të gjitha deklaratat e bëra nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe shefi i tij, Edi Rama, sipas të cilëve sipërfaqet me drogë nuk janë shtuar. Tahiri dhe Rama ka disa ditë që kanë nisur një fushatë për të relativizuar situatën. Në disa deklarata kanë thënë se, situata ka qenë më e rëndë para vitit 2013 dhe kanë akuzuar qeverinë Berisha se në atë kohë i fshihte të dhënat. Por Tahiri e Rama nuk i janë përgjigjur pyetjes se përse këto të dhëna i mbajtën edhe vetë të fshehta për 3 vjet me radhë dhe i publikojnë vetëm tani kur janë nën akuzë për kanabizimin e vendit?
Raporti i SHÇBA tregon se sa alarmante është në të vërtetë situata dhe se për këtë Tahiri e Rama kanë qenë në dijeni e janë mundur ta mbajnë të fshehtë realitetin. Për situatën e rëndë kanë nisur të artikulohen deklaratat e para të forta edhe në Bruksel. Europarlamentari Kukan deklaroi një ditë më parë se, “Shqipëria ka një problem gjigant me drogën”.

Parcelat me kanabis të drejtuesit të policisë në Staravec

Në fshatin Staravec, mbi qyetin e Peshkopisë janë zbuluar disa parcela me drogë që janë në zotërim nga një drejtues policie. “Janë disa plantacione me kanabis në këtë zonë”, raporton burimi që e solli atë në redaksinë e Lapsi.al, që kërkon t’i ruhet anonimati. Ai thotë se, plantacionet janë nën “patronazhin” e një drejtuesi të lartë të Policisë së Dibrës. Bimët ruhen nga persona të armatosur, që nuk janë banorë të Dibrës. “Flasin me dialekt nga Jugu, ndoshta nga Tepelena apo Vlora. Janë të armatosur me kallashnikovë dhe kanë edhe armë më të rënda, si mitrolozë apo snajper”, thotë burimi. Për banorët kjo nuk është gjë e re. “Jabanxhinjtë”, siç i quajnë ata, zbresin në fshat dhe blejnë ushqime dhe pinë kafe, duke qerasur edhe djemtë e fshatit.
Edhe vetë policia është në dijeni, sepse ka agjentë të saj në çdo fshat, në çdo zonë. Ka edhe administratorët apo kryepleqtë që e kanë detyrim ligjor të raportojnë mbi sipërfaqet e mbjella me kanabis. “Ata i shohin ‘jabanxhinjtë’ kur zbresin në fshat për të blerë ushqime dhe për të pirë kafe. Çadrat e tyre sipër në kodër i ka parë i gjithë fshati. Në disa raste, ata nuk i kanë lënë fëmijët apo të moshuarit që të ngjiten sipër për të çuar bagëtinë”, vijon rrëfimin e tij burimi i sipërcituar.

Exit mobile version