Një shpullë në publik dyshohet se ka qenë arsyeja e plagosjes me armë zjarri të Edison Begaj në Kaninë të Vlorës në maj të këtij viti.
Burimet nga policia e Vlorës bëjnë me dije se, autori i dyshuar Mitri Prifti e ka plagosur Edison Begajn për arsye të një sherri të mëparshëm banal.
Sipas burimeve, disa ditë para ngjarjes të dy personat janë konfliktuar në një lokal në zonën e Lungomares ku Edison Begaj e ka goditur 36- vjeçarin me shpullë në publik. Ky i fundit se ka falur këtë gjë dhe më pas ka tentuar ta vrasë.
Mendohet se ai moment është filmuar nga kamerat e lokalit në fjalë, i cili ka qenë kyç për zbardhjen e ngjarjes.
Element tjetër mjaft i rëndësishëm në zbardhjen e saj ka qenë edhe dëshmia e Begajt në polici, i cili ka treguar në lidhje me konfliktin në momentet e para pas ngjarjes.
Autori i plagosjes së Edison Begajt mbrëmjen e 29 majit në Kaninë të Vlorës ishte i maskuar si efektiv policie dhe e sulmoi me armë zjarri në sy të dy fëmijëve në derë të shtëpisë.