Zbulohet skandali/ Hoteli i shembur nga tërmeti u legalizua me akt të falsifikuar! Eksperti kishte…

News24’ dhe ‘BalkanWeb’ zbardh të plotë dosjen hetimore pas arrestimeve në Durrës, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, që i mori jetën 51 personave. Pas 17 urdhër-ndalimeve, 9 prej të cilave u ekzekutuan, detaje nga dosja hetimore zbulojnë shkeljet për ndërtimin e hotel ‘Mira Mare’.

Në këtë dosje del në pah abuzimi i ndërtuesit të ‘Miramare’, Rruzhdi Xheka, ku legalizimi i objektit përveçse nuk ka studim, është bërë me një akt ekspertimi që rezulton se është i falsifikuar pasi eksperti që ka bërë aktin ka ndërruar jetë 5 vite para se të bëhej legalizimi.

Pjesë nga dosja hetimore për hotel “Mira Mare”

Në lagjen nr.13 Plazh Durrës, është shembur një objekt me 5 kate i quajtur Hotel Miramare i cili ishte ndërtuar para viti 2005 dhe per te cilin ishte plotësuar formulari i vet deklarimet ne vitin 2005 dhe nje formularë tjetër ne vitin 2006, i legalizuar ne vitin 2018. Nga shembja e objektit “Hotel Mira Mare” Lagjja nr.13, Plazh Durrës, edhe si pasojë e lëkundjeve te tërmetit gjetën vdekjen shtetasit Sotiraq Vangjel Misha dhe Evjola Bajram Broshka, ndërkohë në pranga ra pronari Rruzhdi Xheka, që rezulton të jetë edhe ndërtuesi informal në objektit, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

Mbështetur ne te dhënat e sipër përmendura ka rezultuar se nga ana e personave që kryejnë funksione publike, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” duke kryer legalizimin dhe regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve.

Gjithashtu, rezulton se ekzistojnë dyshime të bazuara se nga ana e subjekteve private, në cilësinë e ndërtuesit informal, është kryer ndërtimin e një objekti 5-kate në kundërshtim me rregullat dhe normat në fushën e ndërtimit dhe konkretisht objektin e emërtuar Hotel “Mira Mare”, ku për shkak dëmtimit në strukturën e objektit, ka sjell shembjen e tij dhe për pasojë vdekjen e shtetasit Sotiraq Vangjel Misha dhe Evjola Bajram Broshka të cilët gjendeshin në këtë objekt.

Midis personave qe kane përgjegjësi penale lidhur me veprimet dhe mos veprimet e kryera gjate kryerjes se ndërtimit te lokalit Barons dhe legalizimit te ndërtimit te tij,(veç personave te tjerë) rezulton se janë shtetasit:

1-Shtetasi Rruzhdi Xheka ne cilësinë e aplikuesit për leje legalizimi dhe ne cilësinë e pronarit te objektit rezulton se ka kryer ndërtimin e nje objekti pa respektuar rregullat dhe normat ligjore ne fushën e ndërtimit per sa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit te objektit informal. Nga ana e ndërtuesit nuk është kryer asnjë lloj studimi gjeologjiko-sizmiologjik, nuk është kryer asnjë lloj projekti i konstruksionit dhe objektit 5 ketesh, nuk është mbajtur asnje libër masash mbi punimet e kryera dhe cilësinë e materialeve te ndërtimit të përdorur, nuk ka te dhëna qe zbatimi i punimeve te jete kryer nga subjekt i licencuar si dhe nuk ka kryer asnjë lloj akti kolaudimi apo ekspertimi teknik lidhur me qëndrueshmërinë.

Edhe akti teknik i nevojshme per legalizimin e objekti qe lidhet me strukturën dhe qëndrueshmërinë eshte nje akt ekspertimi i cili gjendet ne fotokopje dhe i dyshuar tërësisht i falsifikuar pasi megjithëse legalizimi eshte kryer ne vitin 2018, personi qe pretendohet se ka hartuar aktin ka ndërruar jete me shume se pese vite para legalizimit te objektit.

Veprimet e mësipërme te kryera prej shtetasit Rruxhdi Xheka lidhur me mosrespektimin e normave ligjore ne fushën e ndërtimit ka kryer veprime me dashjen e tij ate te ndërtimit, krijimit dhe fitimit te nje pasurie e cila nuk i plotësonte kushtet teknike te qëndrueshmërisë. Më dashje indirekte ai ka sjellë pasojën e ardhur pasi ai i ka parashikuar pasojat qe mund te vijnë pasi po ndërtonte nje objekt me 5 kate per banimin e njerëzve dhe pikërisht per Hotel, ndërkohe qe me ndërgjegje e lejon ardhjen e pasojës perderi sa nuk merre masa ne respektimin e legjislacionit dhe rregullave te fushës se ndërtimit.

Për këto arsye me veprimet dhe mos veprimet e tij shtetasi Rruzhdi Xheka dyshohet se ka kryer elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese.

Ne dosje thuhet se Arben Isaku, ne cilesin e Drejtorit te Aluizni-t Durres, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” duke kryer legalizimin dhe regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve. Nga ana e tij janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, në lidhje me administrimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe kualifikimi i objektit “Hotel Mira Mare” Lagjja nr.13,Plazh Durrës ne kushtet kur ligji e përjashton nga legalizimi, pasi objekti nuk plotësonte kushtet per legalizim, sepse nuk kishte nje akt ekspertimi teknik te rregullt per qëndrueshmërinë si njeri nga kushtet kryesore te dokumentacionit teknoko-ligjor te legalizimit te objekteve mbi 5 kate, etj, duke konsumuar kështu elementet e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

PERSONAT E NDALUAR
1- Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

2- Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

3- Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

4- Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.

5- Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

6- Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

7- Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.

9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”./Balkan Web

Artikulli paraprakXhaka: Kur Zhegrova ka topin në këmbë, diçka do të ndodhë
Artikulli tjetërFaqja e pare