Zbulohet skandali/ Rama i ka dhënë miliona euro konçensionarit të “Rrugës së Kombit” në 4 vjet

Shefqet Kastrati, pronar i një prej kompanive kryesore të naftës në Shqipëri dhe krye-konçensionari i Rrugës së Kombit, ka marrë 70 milionë euro në 4 vitet e fundit nga tenderat e qeverisë së Edi Ramës.Shefqet Kastrati
“Boldnews.al” ka përpunuar të dhënat e Thesarit të Shtetit, të publikuara në portalin “Spending Data Albania”. Shifrat e përfituara nga “Kastrati sha” dhe “Kastrati”, të dyja nën pronësinë e Shefqet Kastratit, dëshmojnë për hegjemoninë e plotë të kësaj kompanie në fondet publike shqiptare.
Nga hulumtimi rezulton se janë shumë të rrallë ato institucione publike qeveritare që nuk kanë lidhur kontratë me kompanitë e Kastratit për furnizimin me karburant. Në listën e gjatë të institucioneve që kanë paguar faturat për xhepin e Shefqet Kastratit janë edhe shumë institucione dhe agjenci lokale, të gjitha ose pjesa më e madhe e tyre të kontrolluara nga Partia Socialiste e Edi Ramës.
Kryeministri, në apologjinë dhe sulmin e tij kundër protestës në Rrugën e Kombit gjatë fjalës në Parlament të enjten, iu kundërvu të gjithë atyre që përmendin termin “oligark”. Sipas tij, opozita dhe të tjerë po godasin biznesin e ndershëm për qëllime elektorale.
Nga hulumtimi i “Boldneës.al” mbi përfitimet publike në 4 vitet e fundit, rezulton katërcipërisht se Shefqet Kastrati është dhe plotëson të gjithë kushtet për t’u konsideruar “oligark”, madje ndër më të afërtit e kryeministrit Rama.

“Kastrati Group”, dukshëm me bekimin e qeverisë, kontrollon tregun e karburanteve dhe mbizotëron dhunshëm në tenderat publikë. Ai ka hyrë fuqishëm në tregun e ndërtimit. Me lejen e Edi Ramës dhe beniaminit e kryeministrit në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, Kastrati po ndërton një prej atyre kullave që do të zaptojnë hapësirat publike në qendër të kryeqytetit. Së bashku me oligarkun tjetër, Nikolin Jaka, Shefqet Kastrati po ndërton kullën gjigande te ish-parku i fëmijëve “7 xhuxhat”, tek Rr. e Elbasanit.
Dhe, së fundmi, Kastrati rezulton të jetë bosi që do të fitojë nga konçensioni i Rrugës së Kombit, tarifat e të cilës u japin goditje fatale qytetarëve të varfër të Veriut të vendit.
Nga të dhënat e “Spending Data Albania”, dallohet lehtësisht se ministritë kryesore të vendit, ato që menaxhojnë paratë më të mëdha publike të shqiptarëve, janë nën diktatin e Shefqet Kastratit.
Këshilli i Ministrave, vetëm për aparatin administrativ që ndihmon Kryeministrin në detyrën e tij, ka kryer procedura tenderuese për karburant dhe ka kaluar në xhepin e Shefqet Kastratit rreth 460 mijë euro, në periudhën 2014-2018.
Ministria e Energjitikës, e drejtuar prej vitit 2013 nga Damian Gjiknuri, ka kryer disa procedura tenderuese për karburatin, duke i dhënë Shefqet Kastratit rreth 200 mijë euro gjatë periudhës 2014-2018.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e drejtuar nga Arben Ahmetaj i ka dhënë buxhetit të Kastratit nga fondet publike të qytetarëve mbi 150 mijë euro tendera për karburantë.
Ministria e Turizmit, e drejtuar më parë nga Eglantina Gjermeni dhe që aktualisht drejtohet nga Blendi Klosi, për periudhën 2014-2018, ka dërguar në llogaritë e Shefqet Kastratit 150 mijë euro.
Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, rezulton të jetë treguar shumë bujare me “oligarkun” Kastrati. Në tre vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues kompaninë e Kastratit në një numër të lartë tenderash karburantë, vlera e të cilëve arrin në rretn 500 mijë euro.
Lista e institucioneve shtetërore që kanë kontribuuar për shëndoshjen e financave të Shefqet Kastratit është shumë e gjatë dhe me shifra marramendëse. Drejtoritë e Përgjithshme të Tatimeve, Doganave, Policisë, si edhe shumë ente të tjerë publikë, janë gjithashtu kontribuuse për xhepit e Kastratit.
Me zhvillimet e fundit në Rrugën e Kombit, Edi Rama dha prova të qarta se, krahas fondeve publike, ai vë në dispozicion të “oligarkut” Kastrati edhe institucionet ligjzbatuese. Policia, Prokuroria dhe Gjykata dhanë provën e tyre se janë në mbështetje të kryeministrit dhe Kastratit, kundër qytetarëve të varfër kuksianë dhe të të gjithë Veriut. /Boldnews.al/

Exit mobile version