Nga Habjon HASANI
Gjergj Bojaxhi, një biznesmen i fuqishëm me ambicie politike dhe nën hetim nga Prokuroria për pastrim parash, rezulton i lidhur me një nga koncesionet më problematike në Shqipëri.
Bëhet fjalë për koncesionin e parkingjeve në Vlorë, të cilin e ka fituar kompania “TIS Park shpk”, një kompani me pronësi të paqartë, e cila rezulton se e ka origjinën e saj në parajsa fiskale.
Ky koncesion u fitua nga kjo kompani e dyshimtë në prill 2015, në ditët e fundit të mandatit të Shpëtim Gjikës.
Kompania do të ketë në administrim akset kryesore të qytetit dhe disa rrugica lagjesh, duke ofruar parkim kundrejt një pagese.
Por, mesa duket, mundësitë financiare të koncesionarit “TIS Park” kanë qenë të kufizuara për ndërtimin e infrastrukturës që ka marrë me koncesion.
Në muajt e fundit, kjo kompani ka aplikuar në disa banka për të siguruar kredi dhe të ardhura, por e ka pasur të vështirë të procedonte me bankat, pasi koncesionin që ajo ka fituar, bankat nuk ia merrnin si garanci për kredinë.
Por në këtë moment duket se i ka ardhur në ndihmë biznesmeni Gjergj Bojaxhi.
Ky dokument i siguruar ekskluzivisht nga “HashtagAL” është një kërkesë e firmosur nga Bojaxhi më 26 prill 2016. Bojaxhi i kërkonte bankës që të kryente transferimin e 225 mijë dollarëve nga llogaria e tij drejt kompanisë koncesionare “TIS Park”.
Kërkesa bazohet në një kontratë huaje që Bojaxhi ka lidhur me këtë kompani, kontrata parashikon që koncesionari, i cili merr hua tek Bojaxhi, do t’i paguajë atij një interes prej 12% në vit.
Në këtë mënyrë Bojaxhi i është gjendur kompanisë koncesionare “TIS Park” që të zgjidhë problemet e veta me likuiditetin, duke i dhënë para me fajde.
Koncesioni i Rilindjes
Vendimi për dhënien me koncesion të shërbimit të parkingjeve në Vlorë, kaloi mes shumë debatesh dhe gafash burokratike.
Pasi u miratua në Këshillin Bashkiak, projekti u firmos dhe nga prefektja e Vlorës znj. Etjona Hoxha, por kjo e fundit doli më pas në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se ishte kundër këtij koncesioni dhe se firmën e kishte vendosur një vartëse e saj.
Nuk vonoi shumë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideroi tërësisht të paligjshëm këtë koncesion dhe sugjeroi anulimin e tij:
“Kontratat koncesionare për parkimin me pagesë në rrugët e qytetit të Vlorës duhen anuluar. Nëse zbatohet kontrata koncesionare, ndikimi financiar në Bashkinë e Vlorës do të jetë negativ, sepse subjekti privat që merr me koncesion parkimet, përfiton me të padrejtë 184.47 mln lekë”, deklaroi KLSH-ja në vitin 2015.
Por përtej problematikës së këtij koncesioni, dokumente ekskluzive të siguruara nga “HashtagAL”, sugjerojnë se zyrtarë rilindës me influencë në Bashkinë e Vlorës, janë drejtpërdrejt të lidhur me këtë koncesion.
I tillë është dhe drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, z. Gentian Sherifaj.
Drejtori Sherifaj është njëkohësisht dhe pronar i kompanisë “EN-BJO shpk”, ndërsa evidencat e transferimeve bankare të kompanisë së z. Sherifaj, tregojnë se kompania e tij është nënkontraktuar drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet të tretëve për të kryer punime dhe shërbime për llogari të kompanisë koncesionare “TIS Park shpk”.
Duket se të gjithë aktorët janë ndërthurur mirë mes tyre, për një koncesion të cilin KLSH-ja e cilëson të paligjshëm dhe kërkon anulimin: Prefektja e Vlorës thotë se e firmosi pa dashje, drejtori i Bashkisë e mbështet edhe si zyrtar, por edhe si nënkontraktor, ndërsa kur koncesionari ka probleme me bankat, në ndihmë vjen Gjergj Bojaxhi, i cili i jep lekë me fajde që koncesionari të mos bllokohet dhe të vazhdojë punimet i qetë.
“HashtagAL”