Nga Desada Metaj
Sali Berisha dhe avokatët e tij qartas kanë mbetur të surprizuar nga vendimi i sotëm i Gjykatës së Posaçme të Apelit që e riktheu përballjen e tij me SPAK në ditën kur Gjykata e Posaçme, në 26 tetor 2023 vendosi “masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për ish kryeministrin, Sali Berisha, në lidhje me aferën e sportklub ‘Parizani’”. Asokohe, me kryeneçësinë e tij kryetari demokrat refuzoi të paraqitej në zyrat e SPAK dy herë në muaj e për pasojë të këtij refuzimi kaloi një vit në katin e tetë të pallatit ku jeton. Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe më tej segmentet e tij në Gjykatën Kushtetuese i dhanë paksa oksigjen “rebelimit” të Sali Berishës ndaj institucioneve të drejtësisë, duke i dhënë ndoshta dhe optimizëm se me mënyrën e preferuar të përdorimit të shkopit dhe karrotës do të mund të triumfojë në betejën me Prokurorinë e Posaçme. Flakët e kësaj shprese i shoi sot pa kthim gjyqtari Engert Pëllumbi, që me vendimin e tij e detyroi Sali Berishën të paraqitet siç çdo i akuzuar tjetër nga SPAK në zyrat e “skapit të partisë” – siç i pëlqen atij ta etiketojë Prokurorinë e Posaçme.
Me fjalë të zvrritura në fjali të gjata dhe përsëritëse, Sali Berisha ka pranuar sot se do të zbatojë vendimin e GJKKO-së për t’u paraqitur dy herë në muaj para SPAK-ut. Justifikimi i tij se “çështja tashmë është në Gjykatën e Strasburgut” duket se nuk ka asnjë lidhje me motivin e vërtetë. Vendimi për të respektuar vendimin e prokurorëve të SPAK-ut këtë herë tregon një dorëzim të plotë ndaj ligjit nga ana e Sali Berishës, duke e ruajtur mosbindjen civile për ndonjë ditë më të zezë se kjo e sotmja.
Në fakt, justifikimi i Gjykatës së Strasburgut nga ana e Berishës nuk qëndron për disa arsye kryesore:
1- Çështja në Strasburg nuk lidhet me vendimin aktual të GJKKO-së. Dosja “Berisha” është referuar në Strasburg që prej më shumë se një viti dhe ka të bëjë me masat e mëparshme si “detyrimi për paraqitje” dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ndaj nuk lidhet me vendimin e sotëm të Apelit. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se këto masa, përveç arrestimit, zbatohen direkt, pa pasur nevojë për miratim nga Kuvendi.
2-Strasburgu nuk ka vepruar me urgjencë në favor të tij. Nëse do të kishte ndonjë shkelje flagrante të të drejtave të tij, Strasburgu mund të kishte ndërhyrë urgjentisht, siç ka bërë në raste të tjera (p.sh., rasti i portalit “Lapsi” dhe të dhënat personale të patronazhistëve). Në rastin e Berishës, Strasburgu nuk ka marrë asnjë vendim urgjent dhe çështja do të vazhdojë normalisht rrjedhën e saj, pa ndikuar në zbatimin e masave aktuale nga institucionet e drejtësisë.
Përtej realitetit juridik dhe artificave që politikanët që përballen me akuza përdorin në të tilla raste, dorëzimi pa kushte përpara drejtësisë e çon politikën shqiptare në një dimension të ri: dorëzimin përballë ligjit pa kushte dhe revolucione kryesisht imagjinare. Nëse Berisha besonte në drejtësinë e kauzës së tij, sot ai nuk do të pranonte të zbatonte vendimin për paraqitje, siç bëri gati dy vjet më parë për të njëjtin vendim. Sali Berisha e di ndoshta më mirë dhe se avokatët e tij që Gjykata e Strasburgut zakonisht mbron të drejtat e individëve, dhe fakti që ai po e zbaton vendimin e sotëm të Apelit tregon se e kupton që edhe Strasburgu nuk e ndihmon dot në këtë rast. Fjalët e pakta dhe heshtja shurdhuese e “revolucionit” për vendimin e sotëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit reflektojnë në fakt informacionin dhe intuitën e Sali Berishës se drejtësia shqiptare ka qenë e kujdesshme në raport me të dhe vendimet e marra ndaj tij.
Ndoshta për herë të parë, kryetari i PD-së ka reflektuar (duke folur shkurt në shkallët e selisë) dhe një farë frike nga përshkallëzimi i veprimeve të SPAK-ut: Berisha ka kuptuar se SPAK dhe GJKKO nuk po bëjnë diferencime politike, siç dëshmohet edhe nga fillimi i procedimeve ndaj figurave të larta të majta, përfshirë dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit, Erion Velinë. Retorika e tij politike nuk e mbyt dot faktin se publiku po bindet çdo ditë e më shumë se drejtësia po godet korrupsionin pa dallim. Ndaj, në këtë realitet të ri, moszbatimi i vendimeve gjyqësore nuk është më një opsion. Revolucioni dhe mosbindja civile që nisi për kryeneçësinë e Berishës dështuan me sukses të plotë, pa asnjë shans rikthimi si aksion politik opozitar. E aq më pak popullor.
Tashmë mund të thuhet pa frikë se më në fund Sali Berisha po bën mirë që zbaton vendimin e gjykatës, duke kursyer veten nga lodhja dhe simbolika e kotë e një revolucioni të pashpresë. Për pjesën e opozitës së drejtuar prej tij, ky mund të jetë një lajm i keq sepse nuk do merren më me fushatën por me hallet që ka familja Berisha me drejtësine. Ndërsa për shqiptarët, ky është një sinjal i rëndësishëm: askush nuk është mbi ligjin, dhe të gjithë janë të detyruar t’i nënshtrohen drejtësisë.