Zëdhënësja e fushatës së Koalicionit Euroatlantik, Doriana Musai: Gropa e Hajdin Sejdisë, nga Simbol i Turpit te Kullat e Krimit

Nga Doriana Musai

19 vjet më parë, Ministri i Transportit, Lulzim Basha, nënshkroi një marrëveshje me Shoqatën e Ndërtuesve për realizimin e një projekti aspak të zakonshëm. Në qendër të kryeqytetit, ndodhej një hapësirë që shërbente si nevojtore publike, e ngjashme me një gropë septike, pa kapak, pa rrethim dhe tavan, e cila prej 15 vjetësh, ishte kthyer në një rrezik për sigurinë publike, një vatër ndotjeje dhe plehrash, si dhe një simbol të dështimit urbanistik. Një gropë, e cila mori emrin e Hajdin Sejdisë, -ndërtuesit që edhe e hapi në 1991,- ku njerëzit rrezikonin jetën, ku plehrat dhe uji i ndotur krijonin një zonë shpërhapje sëmundjesh, dhe e cila përdorej masivisht edhe nga elementë kriminalë, si hajdutë, përdorues droge dhe individë të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme.

Gjithçka zhvillohej vetëm 200 metra nga ndërtesa e Bashkisë.

U desh ndërhyrja nga qeveria, dhe Ministri i Infrastrukturës, Basha, në vitin 2006, për të mbushur gropën, si fillim për të eliminuar rrezikun dhe të largonte krimin nga qendra e Tiranës, që më tej ta sistemonte në një hapësirë të gjelbërt për qytetin. Ndërtuesit morën përsipër mbushjen e “Gropës e Hajdin Sejdisë” me dhè dhe inerte nga ndërtimet e tyre, por, bashkia, me në krye atëkohë Edi Ramën, i cili edhe pse nuk kishte ngritur gishtin për ta adresuar problemin, (në kohën kur kishim parë të ngrinte edhe sëpatën për show-off), nuk mund ta linte pa konflikt këtë ndërhyrje emergjente. Ndërsa gropa mbushej ditën, bashkia dërgonte makina natën, që ta hiqte dheun e hedhur. Firmat e ndërtimin gjobiteshin, edhe pse shoqata e ndërtuesve kishte lidhur marrëveshje me kreun e ministrisë së infrastrukturës.

Absurde! Jo?!

Me sa u duk më vonë, për Ramën, Tirana do të ishte “paja” që duhet ta vononte me çdo kusht, pasi ajo do të ishte “nusja”, të cilën do ta dhunonte për marrë dhe mbajtur pushtetin qëndror. Askush pëveç se tij, nuk mund të punonte me hapësirën e qytetit. Tiranën e kishte shpallur, ai “tokë të zanum”, dhe i takonte vetëm atij ta gjelbëronte, ndriçonte, apo ndëshkonte dhe prishte.

E megjithatë, edhe pse, pasi u mbush dhe filloi të sistemohej, u deshën edhe 6 vjet të tjera, që gropa të përfundonte në një lulishte dinjitoze dhe të rikthehej në një hapësirë për qytetarët.

Në vitin 2012, Bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha ndërhyri për ta mbyllur këtë histori turpi. Në vend të një grope të rrezikshme dhe të ndotur, u krijua një hapësirë publike e gjelbëruar, duke i kthyer qytetit një zonë të përdorshme për të gjithë qytetarët.

Sot, aty është ende pjesërisht ajo lulishte, ndërsa skaji verior, (ai ku ishte gropa e turpit), është rihapur sërish, po nga Rama, i njejti që bëri çmos që ta zhbënte atë lulishte.
Sot pas 20 vitesh nga ai konflikt, kemi edhe përgjigjen, me firmë dhe vulë të kryeministrit. Rama e donte gropën të hapur, që qytetarët të largoheshin nga qendra e Tiranës, dhe krimi të gëlonte aty ku donte ai, si e donte ai, dhe kur e donte ai. Sot aty ku ishte gropa, po ngrihen kulla, të cilat vijnë nga bota e errët e krimit dhe korrupsionit, e njejtë me atë botë të errët që mblodhi si vatër infeksioni, gropa e Hajdin Sejdisë.

Artikulli paraprakPas motit të keq, në Durrës rikthehen lundrimet në të dyja anët e Adriatikut
Artikulli tjetërPerëndimi i cilësoi zgjedhjet presidenciale të Bjellorusisë “farsë”, Aleksandër Lukashenko betohet për mandatin e shtatë!