Zekthi: Qeveria e vendi, në krizë të thellë. Ka luftë brenda PS-së si pasojë e hetimeve të SPAK

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të martë në Shëngjin kabinetin qeveritar, në një takim të zgjeruar dyditor ku në fokus do të jenë objektivat për vitin 2024.

Në fokus të diskutimeve në këtë mbledhje do të jetë po ashtu edhe analiza dhe vlerësimi i punës së çdo ministrie për vitin që lamë pas, bëjnë të ditur burime për mediet.

Por pavarësisht vendimeve dhe ndryshimeve të bëra me dije një ditë më parë në kabinetin “Rama”, për analistin Fitim Zekthi kemi të bëjmë me një Qeveri që është e zhytur thellë në krizë dhe në korrupsion.

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” Zekthi u shpreh se tashmë ka nisur një përplasje e fortë brenda mazhorancës e nxitur kryesisht nga dështimet në qeverisje dhe nga hetimet e mëdha që po realizon Prokuoria e Posaçme.

“Kryeministri është në krizë të plotë, po ashtu edhe qeveria. Aty ka flukse të mëdha që luftojnë me njëri-tjetrin brenda Partisë Socialiste, si pasojë e dështimit të madh si qeverisje, si pasojë e hetimeve të mëdha nga SPAK-u, ku disa ministra janë të hetuar, disa të tjerë të arrestuar, disa të tjerë mund të arrestohen.

Dhe ky dështim i madh dhe kjo gjendje shumë e rëndë e vendit prodhon dinamika të tilla ku kryeministrit i duhet të gjejë ekuilibra, ose të bëjë sikur po gjen mënyrën për të mbajtur ekuilibra që t’i bindë shqiptarët se ai po ia del për ta qeverisur vendin.

Ndërsa aspekti tjetër që qeveria mblidhet në Shëngjin është një aspekt qesharak që bëhet në vendet ku politika është tërësisht qesharake, pasi nuk ka vend në botë që qeveritë e tyre të mblidhen në brigje detesh dhe lumenjsh.

Është një marrëzi, një nevojë e një njeriu që nuk jeton pa bërë propagandë me gjithçka. Ku propagandën e ka mjet për të dëshmuar ekzestencën e tij politike dhe për aktivitete që kryen vetëm për sytë e publikut”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij Fitim Zekthi.

Exit mobile version