Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje sot për “presion” ndaj homologut të tij rus Vladimir Putin për të ndaluar sulmet në Ukrainë, në prag të negociatave ruso-amerikane në Arabinë Saudite për një armëpushim të pjesshëm.
“Duhet të ushtrohet më shumë presion ndaj Rusisë për të ndaluar këtë terrorizëm”, tha presidenti ukrainas, duke vënë në dukje se duhet të bëhet presion ndaj Putinit për t’i dhënë fund luftës .
“Si do që të jenë bisedimet tona me partnerët tanë sot, ne duhet të bëjmë presion ndaj Putinit që të japë një urdhër të vërtetë për të ndalur sulmet: ai që e filloi luftën duhet ta përfundojë atë”, tha Zelensky në një postim në mediat sociale mbrëmjen e sotme.
Delegacioni ukrainas në bisedimet me SHBA-në në Arabinë Saudite është sa më konstruktiv dhe bisedimet janë të dobishme për ne, tha presidenti ukrainas.
“Ekipi ynë po punon në mënyrë absolutisht konstruktive. Diskutimi është mjaft i dobishëm, puna e delegacioneve vazhdon”, theksoi Zelensky në një deklaratë televizive, duke iu referuar bisedimeve në Riad.
“Është e qartë për të gjithë se Rusia është e vetmja që e bën këtë luftë të zgjasë”, theksoi ai.
“Më 11 mars është bërë propozimi për armëpushim pa kushte dhe sulme të tilla tashmë do të kishin pushuar. Por Rusia është ajo që vazhdon gjithë këtë. Dhe çdo natë, çdo ditë, kryen sulmet më cinike që ekzistojnë”, shtoi presidenti ukrainas.
“Pa presion mbi Rusinë, ata në Moskë do të vazhdojnë të përbuzin diplomacinë e vërtetë dhe të shkatërrojnë jetë,” theksoi ai.
“Kemi filluar takimin me ekipin amerikan në Riad”, deklaroi më herët sot ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov, kreu i delegacionit të vendit të tij.
Siç tha ai, “në agjendë janë propozimet për mbrojtjen e energjisë dhe objekteve bazë”.
Të hënën, zyrtarët rusë pritet të takohen me negociatorët amerikanë për bisedime të veçanta.
Pavarësisht përshpejtimit të përpjekjeve për të afruar palët ndërluftuese se si të arrihet një armëpushim në luftën që filloi me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, luftimet vazhdojnë me goditje vdekjeprurëse si në Ukrainë ashtu edhe në Rusi.