Zelensky nga Berlini: Rusia përsërit ultimatume të vjetra, nuk ofron asgjë të re për paqe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot nga Berlini se Rusia nuk ka paraqitur asnjë propozim të ri për t’i dhënë fund luftës, por vazhdon të përsërisë ultimatume të njohura tashmë nga e kaluara.

 

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Zelensky theksoi se Ukraina nuk pranon asnjë lloj kushti për arritjen e një armëpushimi dhe i konsideron veprimet e Rusisë si pjesë e një fushate propagandistike pa përmbajtje reale.

“Bota po pret prej më shumë se një jave që Rusia të finalizojë të ashtuquajturin memorandum për paqe. Deri më tani nuk ka asgjë të re, vetëm ripërsëritje të ultimatumeve të vjetra”, tha ai.

Sipas tij, thelbi i konfliktit buron nga, siç u shpreh ai, “një dëshirë kriminale e Rusisë për të vrarë njerëz dhe për të shkatërruar jetë”, ndërsa paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm nëse Moska ndryshon qasjen.

Zelensky bëri thirrje për intensifikimin e presioneve ndërkombëtare ndaj Kremlinit. Ai theksoi se zgjatja e luftës duhet të jetë e dhimbshme për Moskën dhe se Gjermania po e mbështet Kievin në këtë drejtim.

Deklarata e presidentit ukrainas vjen pas një telefonate të gjatë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan Donald Trump më 19 maj, ku Putin u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Ukrainën mbi një memorandum për paqe dhe një armëpushim të përkohshëm.

Megjithatë, Zelensky theksoi se Ukraina nuk është informuar mbi përmbajtjen e këtij dokumenti. “Nuk dimë çfarë përfshin ky memorandum, cilat parime synon të përfshijë Rusia”, u shpreh ai.

Në përfundim, Zelensky ritheksoi se çdo iniciativë për paqe duhet të jetë pa kushte dhe të bazohet në rikthimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Ai hodhi poshtë çdo përpjekje për imponim kushtesh përmes deklaratave publike, duke i quajtur ato “manovra propagandistike pa vlerë reale”.

Artikulli paraprak‘LSI 369 mijë$ të padeklaruara për lobim’, Meta e pranon: Shkelet ligji, por unë s’di gjë, të pyeten kushëriri i Monikës e Eriol Braimllari!
Artikulli tjetërBE-ja kërkon formimin e Qeverisë së re të Kosovës, ambasadori Orav: Kemi nevojë për një partner!