Zelensky: Nuk besoj se Rusia do ta respektojë armëpushimin e ardhshëm tre-ditor

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se “nuk beson” se Rusia do të respektojë armëpushimin tre-ditor të shpallur me rastin e festimeve për Ditën e Fitores në Moskë.

Putini propozoi një armëpushim prej tre ditësh rreth datës 9 maj (konkretisht nga 8 deri më 10 maj), kur Rusia feston fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Sipas Moskës, kjo lëvizje synon të testojë gatishmërinë e Kievit për paqe.

“Nuk është hera e parë që Rusia bën premtime për armëpushim… e dimë me kë kemi të bëjmë, nuk i besojmë”, tha Zelensky gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin çek Petr Pavel.

Presidenti rus kishte shpallur një armëpushim të shkurtër gjatë fundjavës së Pashkëve në prill, i cili çoi në një ulje të përkohshme të luftimeve, por nuk u respektua plotësisht nga asnjëra palë.

Në mars, Moska kishte refuzuar një propozim të përbashkët të Kievit dhe Uashingtonit për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor.

“Sot dhe gjatë ditëve të fundit flitet për një armëpushim të pjesshëm, por duhet të dini se, për shembull, numri i sulmeve sot është më i larti në muajt e fundit”, tha Zelensky, duke iu referuar një raporti ushtarak që regjistronte mbi 200 sulme vetëm ditën e djeshme. “Prandaj, nuk ka asnjë besim tek ata,” shtoi presidenti ukrainas.

“Besojmë se pa presion të shtuar, Rusia nuk do të ndërmarrë asnjë hap real për t’i dhënë fund luftës. Sot bëhen 54 ditë që Rusia ka injoruar edhe propozimin amerikan për një armëpushim të plotë,” theksoi ai. “Besojmë se një armëpushim është i mundur në çdo moment, madje edhe që sot, dhe duhet të zgjasë të paktën 30 ditë për t’i dhënë diplomacisë një mundësi reale.”

Presidenti çek Petr Pavel, ish-gjeneral i NATO-s, tha se ai i kushton vëmendje atyre që janë të gatshëm të respektojnë armëpushimin, jo atyre që vetëm flasin për të.

“Putini mund ta përfundojë luftën me një vendim të vetëm, por deri tani nuk ka treguar asnjë vullnet për ta bërë,” theksoi Pavel.

Zelensky, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Olena Zelenska, mbërriti sot në Pragë për një vizitë shtetërore dyditore.

Qeveria çeke ka qenë një mbështetëse e fortë e Kievit që nga pushtimi rus në vitin 2022, duke udhëhequr një nismë për furnizimin e Ukrainës me municion të kalibrit të madh, përmes së cilës janë dorëzuar të paktën një milion predha.

Në kuadër të kësaj nisme, çekët kanë përdorur përvojën e tyre diplomatike, afariste dhe industriale për të gjetur municion në mbarë botën dhe për ta dërguar atë në Ukrainë me financim nga aleatët e NATO-s.

Çekia gjithashtu ka pritur mbi gjysmë milioni refugjatë dhe ka furnizuar ushtrinë ukrainase me pajisje si tanke, automjete të blinduara dhe helikopterë.

Artikulli paraprakFitoi trofeun e parë në karrierë, postimi i Herri Kejn bëhet menjëherë viral
Artikulli tjetërSi do realizohet premtimi për heqjen e vizave me SHBA dhe Britaninë? Lulzim Basha tregon rrugën