Zeman, trajneri i ri i Memushajt e Malokut

Zdenek Zeman kthehet te Pescara. “Boemi” pranoi ofertën e klubit të Serisë A, për të marrë drejtimin e stolit pas largimit të trajnerit Massimo Oddo. Trajneri kthehet në Abruco pasi në vitin 2012 arriti ta ngjiste klubin në elitën e futbollit italian, ndërsa tashmë objektivi është ta shpëtojë skuadrën nga rënia nga kategoria. Zeman pranoi ofertën e bardhekaltërve, ku bëhet fjalë për kontratë deri në vitin 2018, nga e cila do të përfitojë pagë 100 mijë euro deri në fund të këtij edicioni dhe 400 mijë euro për sezonin e ardhshëm.
Trajneri 69-vjeçar ka studiuar me kujdes kontigjentin e futbollistëve që ka në dispozicion dhe po vlerëson mënyrat e lojës që do t’i përshtateshin më së miri ekipit. Zeman njihet për lojën ofensive që praktikon dhe kjo pritet të ndryshojë jo vetëm ecurinë e Pescara-s, por edhe paraqitjet në fushë, me kapitenin Ledjan Memushaj që do të vijojë të ketë një rol të rëndësishëm në manovrat sulmuese. Ndërkohë, mbrojtësi 18-vjeçar Leonardo Maloku vijon të presë shansin për të debutuar në Serinë A italiane, qoftë edhe për pak minuta.

Exit mobile version