Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë që Besnik Brahja të qëndroi në burg, Gjykata urdhëroi lirimin e tij
Relatorja e çështjes Zeqine Sollaku dhe dy gjyqtarët Gramoz Levanaj dhe Metush Saraçi zhvilluan seancën gjyqësore me dyer të mbyllura dhe nuk lexuan arsyetimin e ndryshimit të këtij vendimi, duke u mjaftuar vetëm me fjalët që i ndryshohet masa e sigurisë shtetasit Besnik Brahja, përgjegjegjës i punëtorëve të kompanisë “3R”
Gjykata e Apelit liroi dje nga burgu Besnik Brahjan, përgjegjësin e punëtorëve të kompanisë “3R” brenda landfilldit të Sharrës, ku u gjet i vdekur punëtori 17-vjeçar Ardit Gjoklaj. Tre gjyqtarët, Gramoz Levanaj, Metush Saraçi dhe relatorja e çështjes Zeqine Sollaku vendosën ndryshimin e masës së sigurisë për Brahjan, nga ajo e “arrestit me burg” në arrest shtëpie. Bëhet e ditur se, lirimi i përgjegjësit të punëtorëve të kompanisë “3R” është bërë me porosi të Ramës dhe Veliajt, ndërsa relatorja e çështjes Zeqine Sollaku, bashkëshortja e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, sot një nga avokatët më të denjë të PS, ka vënë veton në trupin gjykues për lirimin e tij.
Tre gjyqtarët që zhvilluan seancën gjyqësore me dyer të mbyllura nuk lexuan arsyetimin e ndryshimit të këtij vendimi, duke u mjaftuar vetëm me fjalët që i ndryshohet masa e sigurisë shtetasit Besnik Brahja.
Prokuroria kundërshtoi kërkesën me argumentin se Brahja ishte personi pergjegjës për çdo gjë që ndodhte në landfilld. Ndërsa ka sjellë dhe si provë dëshmitë e punonjësve dhe kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë se menaxhimi kryhej nga Braha.
Prokuroria gjatë parashtrimit të argumenteve të akuzës, kërkoi që Besnik Brahja të vazhdojë qëndrimin në qeli deri në përfundim të hetimeve. Sipas akuzës, Besnik Brahja nuk ka bashkëpunuar me Prokurorinë për të treguar të vërtetën në lidhje me punësimin e 17-vjeçarit Gjoklaj, edhe pse ishte përgjegjësi i punëtorëve. Po ashtu Brahja, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit nuk ka pranuar se 17-vjeçari ishte punonjës i kompanisë, duke pretenduar se nuk i njihte pasi punësimin e bënte vet administratori i kompanisë “3R” që tashmë është në kërkim, Edurim Teqja.
Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë që Besnik Brahja të qëndroi në burg, Gjykata urdhëroi lirimin e tij, duke i caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas akuzës, Edurim Teqja administrator i kompanisë “3R”, kishte punësuar si përgjegjës të punëtorëve shtetasin Besnik Brahja, i cili kontrollonte përgjegjësit e turneve që kishin në varësi punëtorë të ndryshëm, që kryenin selektimin e mbeturinave brenda landfilldit të Sharrës. Përgjegjësi i turnit, kur mendohet se është vrarë Ardit Gjoklaj ka qenë shtetasi Dëfrim Hakrama, i cili nuk ka pranuar se 17-vjeçari ishte punonjës i kompanisë së selektimit të mbeturinave. Gjithashtu për këtë ngjarje është arrestuar edhe shoferi i ekskavatorit Edmond Kallari i dyshuar si personi që mund të ketë vrarë nga pakujdesia punëtorin 17-vjeçar Gjoklaj. Sipas akuzës, kompania “3R” dyshohet se kishte punësuar në landfilld persona nën moshë, të pasiguruar si dhe pa kushte minimale të punës. Për punësimin e këtyre punëtorëve, mësohet se merrej vetë administratori i shpallur në kërkim Edurim Teqja, i cili me ndihmën e ekonomistit shpërndante edhe pagesat.
Burimet nga akuza, thonë se ka qenë një punëtor i kompanisë së sigurimit të rrethimit të landfilldit, ai që ka pranuar se 17-vjeçari ka qenë i punësuar pranë shoqërisë “3R” për selektimin e mbetjeve, kur edhe gjeti vdekjen.
Brahja që nga kjo e enjte do të qëndrojë në arrest shtëpie, pasi prej 10 gushtit ndodhej në burg. Ankimimi në apel ishte bërë nga mbrojtësit e personit të arrestuar. Ndërkohë, ditën e premte Gjyakata e Apelit pritet të shqyrtojë masën për Edmond Kallarin, drejtuesi i ekskavatorit me të cilin u shtyp 17-vjeçari. Gjithashtu edhe Dëfrim Hakrama përgjegjes turni në Sharrë do të kërkojë lirimin nga burgu.
Për këtë ngjarje është shpallur në kërkim admnistratori i firmës “3R” Edurim Teqja. Ndonëse është në kërkim, ai është marrë në mbrojtje nga Rama dhe Veliaj, të cilët nuk e dorëzojnë tek organet e drejtësisë. Ardit Gjoklaj u gjet i vdekur të dielën e 7 gushtit në vendin e grumbullimit të plehrave në Sharrë me dëmtime të shumta në kokë, trup dhe gjymtyrë.
R.POLISI